Maqedoni

“Logos A” dhe “Shkupi” dhurojnë libra, i ftojnë institucionet të furnizojnë bibliotekat

06.03.2018 15:29

Shoqatat Botuese “Logos A” dhe ajo “Shkupi”, me rastin e 7 marsit - Ditës së Mësuesit, do të dhurojnë libra për shkollat fillore dhe të mesme në vend....

Shoqata botuese “Logos A” arsimtarëve do t’ua dhurojë dramën e pabotuar deri më tani të autorit, Sami Frashëri, “Ndërgjegjja”, ndërsa arsimtareve librin “Gratë”. Shkollave me mësim në gjuhën shqipe do t’u  dhurohen  lektyra, atlase, libra të ilustruara, që në total përbëjnë 30 mijë kopje. Shtëpia botuese “Shkupi” do të dhurojë 150 libra për secilën bibliotekë shkollore dhe nga 300 kopje për gjimnazet në Shkup. 
 
“Kemi vendosur të japin 30 mijë libra gjithsej, rreth 7000 prej tyre janë librat “Ndërgjegjja” dhe “Gratë”. Këtu janë atlaset, lektyrat shkollore dhe kështu me radhë... Pse dhurohet “Ndërgjegjja”, pikërisht sepse për herë të parë botohet, është një risi për lexuesin shqiptar, sepse pas 114 viteve që e ka shkruar Sami Frashëri në gjuhën osmane, për herë të parë botohet në gjuhën shqipe”,- u shpreh Adnan Ismaili nga Shoqata botuese “Logos A”.
 
“”Shkupi” me kapacitetet e veta, 3-4 mijë tituj, u dhuron shkollave fillore në fund të vitit, por kjo nuk mjafton, sepse bibliotekat e shkollave kanë ngelur prej vitit 90 e këtej të pafurnizuara në mënyrë institucionale dhe kjo le të jetë një ftesë deri te institucionet shtetërore që të ndërmarrin aktivitete që të gjitha bibliotekat të furnizohen në mënyrë të rregullt”,- tha drejtor i Shtëpia botuese “Shkupi”, Azam Dauti. 
 
Shembullin e këtyre dy shtëpive botuese duhet ta ndjekin edhe shtëpitë e tjera botuese, vlerëson kryetari i LASh-it, Nuhi Dardhishta.
 
“Kjo le të jetë porosi e të gjitha shtëpive botuese, sepse këto shtëpi botuese gjithmonë kanë dhënë libra, sidomos në shkollat e Çairit, po le të jetë porosi që të gjitha shtëpitë botuese të botojnë dhe përkthejnë tekstet shkollore të shqiptarëve që kanë vepruar në Turqi dhe Egjipt, t’i përkthejmë dhe t’i kemi ato libra jo vetëm nxënësit, por edhe për të tjerët”,- theksoi kryetari i LASh-it, Nuhi Dardhishta.
 
Organizatorët e këtij aktiviteti ua urojnë arsimtarëve 7 marsin, duke iu dëshiruar përkushtim në realizimin e misionit të lartë kombëtar, arsimimin e brezave të rinj.
 
FLUTURA LATIFI