Maqedoni
Rasti “Mitmarrja”, Gjykata pranoi videon me Zaevin si dëshmi. Zaev: Jam i pafajshëm, më akuzuan që të ndalin “bombat”
06.03.2018 15:52
Gjykatësi, Darko Todorovski, pranoi si dëshmi videon e filmuar me masa të veçanta të hetimit në të cilin avokatët e Zoran Zaevit në rastin “Mitmarrja” kërkuan refuzimin e të njëjtës....

Gjykatësi u tha avokatëve të Zaevit se video-incizimi është bërë kryekëput në mënyrë ligjore dhe se ekzistojnë urdhra gjyqësore për rrjedhjen e masave të veçanta ndaj Zaevit.
Prokuroria tha se përmes dëshmitarit të tyre, Ivan Nikollovit, që në këtë rast është biznesmeni i cili Zaevit i ka kërkuar “ryshfet” për ndërtimin e kishës qendrore në Strumicë, do të dëshmohet se ai e ka kryer veprën penale. Zaevi tha se nuk ndjehet fajtor dhe vlerësoi se akuza është përplot me gënjeshtra për të ndalur në atë kohë publikimin e “bombave” të opozitës.
“Përmes këtij procesi gjyqësor, së bashku me avokatët e mi do të zbërthejmë akuzën e ngritur dhe do të dëshmojmë se cili ka qenë qëllimi përfundimtar për të montuar një proces të tillë në kohën kur Zoran Zaevi e udhëhiqte projektin “Për të vërtetën në Maqedoni” me publikimin e “bombave” politike. Për mua është më rëndësi që incizimi të publikohet i tëri në këtë procedurë para opinionit që të vërtetohet se Zaevi nuk ka pasur për qëllim mitmarrjen”,- deklaroi i akuzuari në rastin “Mitmarrja”, Zoran Zaev.
Pala mbrojtëse tha në gjykatë se biznesmeni, Ivan Nikollov, i ka keqpërdorur bisedat e Zoran Zaevit për organizimin e donacionit për ndërtimin e kishës në Strumicë dhe se Nikollov ka qenë në dijeni se ato para të cilat dëgjohen në videon si “Mitmarrja” kanë qenë vullneti i Nikollovit për të bërë donacion për kishën e jo kushtet për ta blerë tokën.
Avokatët thanë se të gjitha veprimet për privatizimin e truallit është bërë në mënyrë ligjore nga ana shërbimeve komunale dhe se nuk ekziston asnjë vendimmarrje e dyshimtë e bërë nga Zaevi.
Zoran Zaev akuzohet se si kryetar i komunës së Strumicës ka kërkuar ryshfet prej rreth 163.000 eurosh prej biznesmenit të Strumicës, Ivan Nikollovit, për legalizimin e tokës ndërtimore.
REXHEP QAMILI
