Maqedoni
Administrata shtetërore: Së shpejti nënshkruhet marrëveshja kolektive
06.03.2018 16:52
Reformat në administratën shtetërore dhe të drejtat e punëtorëve ishin temat e bisedës në takimin mes ministrit të shoqërisë...

Reformat në administratën shtetërore dhe të drejtat e punëtorëve ishin temat e bisedës në takimin mes ministrit të shoqërisë informatike dhe administratës, Damjan Mançevskit, me përfaqësuesit e Sindikatës së punëtorëve të administratës së organeve gjyqësore.
Në takim palët u dakorduan që të punësuarit në administratën shtetërore së shpejti të kenë marrëveshje kolektive, me të cilën do të rregullohen të drejtat dhe detyrimet e tyre.
“U dakorduam që të fillojmë bisedimet për nënshkrimin e marrëveshjes kolektive mes punëtorëve në administratën publike dhe të punësuarve të tjerë në këto fusha”,- u shpreh Pece Grujovski nga Sindikata e AOGJSh-së.
“Me këtë marrëveshje, në mënyrë më të drejtpërdrejtë do të rregullohen të drejtat e punëtorëve, normalisht edhe obligimet e tyre dhe ata do të jenë më të pastër në raport me të gjitha të drejtat të cilat duhet t’i përmbushin”,- theksoi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski.
Në lidhje me çështjen e pagesës të shkallës së karrierës, për të cilën ditëve të kaluara shumë të punësuar i kanë paditur institucionet ku ata punojnë për mospagesë të kontributeve, Mançevski tha se qeveria është e angazhuar që t’u paguajë të gjithëve atë që u takon.
“Kemi sjellë vendim në seancën qeveritare që të paguhen kompensimet për karrierë dhe e dhamë një porosi për të gjithë udhëheqësit e institucioneve të çdo niveli, ta bëjnë të njëjtën e të mos pritet për çështjet gjyqësore dhe të paguhen shuma të larta të të hollave për shpenzime nëpër avokatë dhe gjyqe”,- tha ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski.
Temë e bisedës ishte edhe stërmbushja e administratës shtetërore me nëpunës administrativë. Mançevski tha se me reformat në administratë do të bëhet sistematizimi i tyre dhe do të përmbushen edhe vendet e lira të pozitave udhëheqëse në administratë.
ERSAN PARAZITI
