Maqedoni
Kuvend, Ligji për gjuhët - nuk nis vazhdimi i seancës së paralajmëruar
06.03.2018 18:24
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, e shtyu në afat të pacaktuar vazhdimin e seancës së 32, në të cilën në rend dite është Ligji për përdorimin e gjuhëve....

Pengesa kryesore për vazhdimin e kësaj seance, përkatësisht për miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, janë mbi 35.000 amendamente të parashtruara nga VMRO-DPMNE, por, siç duket, veç kësaj, mospajtime ka edhe mes partnerëve të koalicionit të shumicës sa i përket vazhdimit të kësaj seance.
Përderisa grupi parlamentar i LSDM-së konsideron se seanca mund të vazhdojë me pikat e tjera, në rend dite, që kanë të bëjnë me reformat, grupi parlamentar i BDI-së, dëshiron të mbyll përfundimisht procedurën parlamentare për miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Kumtesë zyrtare pse nuk filloi vazhdimi i seancës 32 nuk ka, edhe pse gjatë tërë ditës kishte komunikim midis kryetarit të Kuvendit dhe grupeve parlamentare. Gjithsesi, deputetët e shumicës dhe opozitës ishin në ambientet e Kuvendit dhe prisnin zilen e kryetarit për t’u mbledhur në plenare. Seanca fillimisht ishte caktuar për në orën 12, ndërsa pastaj për në orën 15, për të njoftuar më vonë se vazhdimi i seancës nuk ka për të ndodhur sot.
Edhe takimet e ndara mes liderëve të partive politike gjatë ditëve të fundit, nuk ndihmuan tejkalimin e ngërçit për miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
SHPËTIM NUREDINI
