Maqedoni

Sinoptikanët: Nga shirat e sotme nuk ka dëme, prej nesër diell

06.03.2018 18:48

Sipas Entit Hidrometeorologjik, shirat e pasdites nuk do të shkaktojnë dëme dhe pritet të jenë të fundit për këtë javë...

Qytetarët prej ditës së nesërme do të mund të shijojnë kohën e ngrohtë me diell, me temperatura që pritet të lëvizin prej 12 deri më 19 celsius. 
 
“Sot në orët e pasdites dhe në mbrëmje do të kemi të reshura shiu  kryesisht në pjesët perëndimore dhe në pjesët lindore të vendit. Të reshurat do te bien deri më 15 litra në metër katror. Borë do të ketë vetëm në malet e larta, ndërsa nesër do të jetë kryesisht mot të thatë me periudha të diellit, vetëm në disa vende do të ketë reshje të dobëta lokale”,- tha sinoptikania, Lençe Rizova.
 
Si rezultat i reshjeve të shiut dhe shkrirjes së menjëhershme të borës, sipas informacioneve të Qendrës regjionale për udhëheqje me krizat ka pasur dalje të lumenjve nga shtrati, edhe atë në komunën e Aerodromit, Zelenikovës, Manastirit, Krushevës, Demir Hisarit, Dibrës, Makendonski Brodit, në komunën e Strugës, në komunën e Bogovinës, të Tetovës dhe Gostivarit. Për të sanuar dëmet dhe për të parandaluar vërshimet tjera eventuale, Komiteti për menaxhim me kriza në seancën e fundit kanë ndërmarrë një sërë masash. 
 
“Janë marrë vendime  të bëhen takime koordinative në mënyrë që të bëjmë një plan të detajuar në lidhje me aktivitetet e punës së institucioneve dhe të parandalojmë përmbytjet, të përqendrohemi tek lumenjtë në Republikën e Maqedonisë, të merren parasysh  veçanërisht zonat e prekura nga vërshimet, nëse është nevoja të pastrohen kanalet”,- tha Nadica Veçkova nga Qendra për menaxhimin e krizave.
 
Sidoqoftë niveli i ujit pritet të zvogëlohet gjatë ditëve në vijim, pasi do të ketë kohë me diell. Temperatura të larta pritet të ketë gjatë fundjavës, ku në pjesët juglindore të vendit temperaturat pritet të shkojnë mbi 20 gradë celsius.  
 
SEVDIE OMEROVIQ