Botë
Thaçi: Opozita uzurpoi kuvendin , do të ankohemi
18.07.2014 18:35
Një ditë pas seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi...

Një ditë pas seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, ka deklaruar se partitë politike që humbën zgjedhjet e 8 qershorit, kanë dhunuar institucionin më të lartë të vendit. Sipas Thaçit, në seancën e së enjtes janë parë skena jodinjitoze, të nxitura nga liderë politik që kurrë në jetën e tyre nuk i kanë fituar asnjë palë zgjedhje në 15 vite në Kosovën e lirë.
“Partitë politike humbëse të zgjedhjeve të 8 qershorit, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjet në fuqi dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, si dhe në kundërshtim me vullnetin dhe verdiktin e qytetarëve të vendit, dhunuan institucionin më të lartë të vendit, duke e shndërruar atë në arenë të imponimit arbitrar të tekeve”- ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij në “Facebook”.
Duke i konsideruar si krejtësisht të kundërligjshme dhe të pavlefshme vendimet e marra nga partitë parlamentare që Thaçi i quan “uzurpatorë të seancës konstituive”, ai shpreh qëndrimin se këto vendime që dolën nga një proces antiligjor, antidemokratik dhe antikushtetues, janë të pavlefshme.
“Do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në lidhje me zhvillimet e dhunshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për të kërkuar rivënien e legalitetit dhe legjitimitetit në këtë institucion”- ka shkruar Thaçi.
Një ditë më parë, koalicioni opozitar zgjodhi Isa Mustafën si kryetar të Kuvendit. Ai mori 65 votat e deputetëve nga 82 sa ishin të pranishëm në sallë gjatë udhëheqjes së seancës në gjuhën serbe nga deputetja e listës “Srspka”, Milka Vuletiç nga Leposaviçi.
Në mungesë të marrëveshjes politike, deputetët e lëvizjes “Vetëvendosje” abstenuan, por propozuan kandidatin për nënkryetar të Kuvendit. Zgjedhja e Mustafës u bë pasi 120 deputetët e kësaj legjislature bënë betimin.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
