Në trevat shqiptare festohet Dita e Mësuesit
Sot në Maqedoni dhe në të gjitha trevat shqiptare festohet 7 Marsi - Dita e Mësuesit...

Sot në Maqedoni dhe në të gjitha trevat shqiptare festohet 7 Marsi - Dita e Mësuesit, një festë e cila i kushtohet personelit edukues të shkollave dhe universiteteve.
Kjo festë kombëtare nisi 128 vjet më parë, më 7 mars 1887, pasi në Korçë u hap mësonjëtorja e parë e shkollës laike shqipe.
Që nga ajo ditë, 7 marsi festohet në të gjitha trevat shqiptare si Dita e Mësuesit, për të përkujtuar atë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe historike.
Kjo ngjarje ishte një fitore për popullin shqiptar, pasi deri në atë kohë mësimet mbaheshin në shtëpi private dhe në mënyrë të fshehtë.
Kjo shkollë qëndroi e hapur për 15 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nu Naçi, Thoma Avrami e të tjerë.
Në këtë ditë institucionet në trevat shqiptare organizojnë evente të ndryshme për mësuesit, ndërkohë që këta të fundit si një traditë e nisur para shumë vitesh, festojnë fillimisht me nxënësit e tyre.
Për nder të kësaj dite disa studentë dhe nxënës të shkollave të mesme nga Kumanova sot në selinë e BDI-së janë pritur nga kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti.
Gjatë takimit janë diskutuar problemet me të cilat ballafaqohen nxënësit nëpër shkolla si dhe kërkesat për të përmirësuar cilësinë në arsim.
Kryetari Ahmeti dëgjoi hallet e nxënësve dhe shprehu gatishmëri të plotë që në të ardhmen të përkushtohen edhe më shumë në arsim si shtyllë kryesore e një shoqërie.
