Botë

Analistët: Thaçi të mos thellojë krizën

18.07.2014 18:39

Formimi i shumicës parlamentare në Kosovë pa partinë fituese, nuk shkel as Kushtetutën dhe as Ligjet e këtij vendi...

Formimi i shumicës parlamentare në Kosovë pa partinë fituese, nuk shkel as Kushtetutën dhe as Ligjet e këtij vendi, të cilat parashohin formimin e një shumice të tillë kur partia fituese nuk ka ose nuk arrin të sigurojë shumicën absolute në Parlament përmes koalicionimit. 
 
Analisti politik, Naser Zyberi, thotë se vendosshmëria e opozitës për të mos lejuar formimin e Qeverisë nga Hashim Thaçi për herë të tretë radhazi, tregon një vetëdije të lartë qytetare dhe politike. Sipas Zyberit, procesi i bisedimeve paszgjedhore është ndjekur me kujdes edhe nga ndërkombëtarët dhe po të kishte shkelje kushtetuese ose shkelje ligjore, do të pasonin reagime, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. 
 
“PDK edhe pse është partia me më tepër deputetë, si subjekt i vetëm ajo nuk ka arritur që të sigurojë shumicën absolute, për ta konstituuar Pushtetin në Republikën e Kosovës. Kjo automatikisht d. m. th. që të gjitha mundësitë janë të hapura dhe subjektet tjera nëse krijojnë shumicë parlamentare, atëherë ata edhe mund ta konstituojnë Pushtetin”- deklaroi analisti, Naser Zyberi.
 
Ndërkaq, analisti, Mersel Bilalli, thotë se kryeministri aktual, nëse nuk ka arritur që të formojë shumicën, duhet të lëshojë Pushtetin dhe të mos e thellojë krizën politike. Megjithatë, kjo duhet të ndodh në harmoni me Ligjin dhe procedurat.  
 
“Unë mendoj se duhet struktura aktuale ta kuptojë se ka humbur shumicën, pra duhet t’i jepet mandati dhe pastaj nëse nuk e mbledh numrin e caktuar, pra vetë kryeministri nuk duhet të shkojë në interpretimin më restriktiv të Kushtetutës, që të thellojë krizën politike, por duhet definitivisht t’ua lëshojë Pushtetin të tjerëve”- theksoi analisti, Mersel Bilalli.
 
Sipas analistëve, me rëndësi është që partitë që formuan shumicën parlamentare në Kosovë, kanë deklaruar paraprakisht se do të respektojnë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese, pas paralajmërimit të PD-së se do të dorëzojë parashtresë në këtë Gjykatë, për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e formimit të shumicës parlamentare në këtë formë.
 
SHPËTIM NUREDINI