Edhe një dorëheqje tjetër në Anti-korrupsion
Edhe një dorëheqje tjetër në Komisionin për Luftimin e Korrupsionit pas publikimit të raportit të revizionit...

Edhe një dorëheqje tjetër në Komisionin për Luftimin e Korrupsionit pas publikimit të raportit të revizionit në të cilin theksohet shpërdorimi i parave publike. Siç mësohet, u tërhoq edhe anëtarja, Zhaklina Damçevska, e cila është anëtarja e tretë që dorëhiqet nga ky trup.
Dje u tërhoq kryetari aktual, Igor Tanturovski, i cili ishte i pari që kundërshtonte dhe kritikonte këtë raport duke e quajtur të shtrembëruar, ndërsa hapin e tij sipas të gjitha gjasave do ta marrin edhe anëtarët e tjerë të përfshirë në skandal.
Dorëheqje i pari dha ish-kryetari i këtij trupi, Goran Milenkov. Pritet edhe dorëheqja e Farie Aliut, Najdo Spasevskit, Suzana Taskovas dhe Sejdi Halilit, të cilët së bashku me anëtarët që tashmë janë tërhequr ushtrojnë këtë funksion që nga prilli i vitit 2015.
Anëtarët u detyruan të dorëhiqen pas thirrjeve publike nga Qeveria dhe një sërë kritikësh, pas raportit të fundit të revizionit, në të cilin anëtarët kanë dhënë fletëpagesa të rrejshme për harxhimet e rrugës edhe pse nuk kanë shkuar fare në punë, ose nuk kanë qenë fare në udhëtim zyrtar dhe për këtë janë pagur me mëditje.
Ka pasur rast kur një person ka dorëzuar dëshmi për harxhimet rrugore në të njëjtën ditë sikurse të kishte qenë jashtë vendit dhe në po atë kohë gjoja se ka qenë në seancë të Komisionit.
