Maqedoni

Reçica e Vogël pa shkollë fillore, banorët: Ka vite që premtojnë, realizimi askund; Arifi: Ndërtohet brenda këtij mandati katërvjeçar

07.03.2018 15:23

Edhe pse ka mbi 1200 shtëpi, Reçica e Vogël është i vetmi fshat në komunën e Tetovës që nuk ka shkollë fillore...

Nxënësit e Reçicës së Vogël Ditën e Mësuesit edhe këtë vit e festuan në Shkollën “Përparimi” në Reçicë të Madhe dhe një pjesë tjetër tek Shkolla “Naim Frashëri” në Tetovë. Banorët e kanë humbur shpresën për ndërtimin e një shkolle, megjithëse thonë se shpresa vdes e fundit.
 
Shkolla në Reçicë të Vogël ishte edhe premtimi i vetë kryeministrit Zaev gjatë takimeve me elektoratin e këtij fshati në zgjedhjet e fundit lokale.
 
Ndërtimi i shkollës fillore duhej të bëhej përmes një donacioni nga qeveria kineze, projekt ky që tashmë është hedhur poshtë.
 
Nga komuna e Tetovës dhe nga MASh thonë se po bëhen të gjitha përpjekjet që ky projekt të financohet nga buxheti qendror.
 
“Siç e dini historinë e shkollës, katërvjeçarin e fundit ishte në programin për t’u realizuar me grandin kinez dhe ne kërkuam nga qeveria që të tërheqë nga realizimi i atij grandi, por ta vendos në buxhetin e saj. Jemi duke përfunduar edhe një revizion të dytë të lejes me qenë se projekti ka leje, është i plotë dhe presim që Ministria e Arsimit, ashtu siç ka thënë edhe qeveria, që ky projekt të realizohet”,- theksoi kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
 
“Shpresoj që së shpejti para opinionit do të dalim me zgjidhje konkrete dhe shkolla konkrete, ku do të zgjidhet një herë e përgjithmonë problemet. Jemi plotësisht të vetëdijshëm se është një nevojë imanentët e banorëve të Reçicës së Vogël dhe jemi duke punuar në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje sa më të shpejtë”,- tha zëvendësministri i Arsimit në RM, Arbër Ademi.
 
Ademi thotë se janë në komunikim të vazhdueshëm me pushtetin lokal jo vetëm për shkollën në Reçicë të Vogël, por edhe për investime të tjera kapitale.
 
VISAR SADIKI