Botë

MPJ: Kujdes, mos udhëtoni në Rripin e Gazas

18.07.2014 18:42

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, deklaroi se Izraeli është i përgatitur të zgjerojë edhe më tej ofensivën tokësore...

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, deklaroi se Izraeli është i përgatitur të zgjerojë edhe më tej ofensivën tokësore kundër militantëve të Hamas-it në Rripin e Gazas. Deklarata e tij u bë pak orë pas nisjes së ofensivës ku qindra trupa të mbështetur nga tanke dhe mjete të tjera të artilerisë së rëndë, nisën mësymjen në zonën e kontrolluar nga Hamas-i.
 
Vendimi për të hyrë në Rripin e Gazës u mor pas 10 ditëve bombardime, në të cilat mbi 200 palestinezë kanë gjetur vdekjen, pjesa më e madhe e të cilëve civilë. 
 
Sipas Tel Avivit, qëllimi i këtij operacioni është për të “krijuar një realitet, në të cilin banorët izraelitë mund të jetojnë në siguri të plotë dhe pa terror të vazhdueshëm, që vjen nga infrastruktura terroriste e Hamasit”.
 
Tensionet u rindezën pas rrëmbimit, e më pas vrasjes së 3 adoleshentëve izraelitë. Izraeli fajësoi për këtë Hamas-in. Ky i fundit mohon akuzat. Si të mos mjaftonte kjo, dy ditë pas gjetjes së trupave të tre adoleshentëve izraelitë, trupi i pajetë i një 17 vjeçarit palestinez gjysmë i djegur u gjet në Jeruzalemin Perëndimor.
 
Kjo shkaktoi protesta masive të palestinezëve dhe përplasje me forcat e sigurisë izraelite.
Nga Gaza nisën sulmet me raketa ndaj qyteteve izraelite, ndërsa autoritetet hebreje u kundërpërgjigjen me nisjen e një ofensive ushtarake, duke përdorur dyfishin e forcës së përdorur në një ndërhyrje të ngjashme në vitin 2012. 
 
Nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë, ndërkohë, u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet në zonat në afërsi të Gazas, madje edhe në vende në largësi prej 50 kilometrash nga Rripi i Gazas. “Marrë parasysh sinjalet për luftime në Tel Aviv dhe Jerusalem, iu bëjmë thirrje qytetarëve të kenë kujdes dhe të marrin informacione plotësuese dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale nëse janë tanimë në këto zona.
 
Gjithashtu të bëjnë kujdes në vendet ku ka koncentrim të madh të turmave të njerëzve”. Për shkak të aktiviteteve ushtarake në Siri, MPJ-ja bën apel për kujdes edhe për në zonat kufitare me Sirinë dhe kufirin izraelit në zonat mes Sirisë dhe Libanit.
 
HAMIDE IBRAHIMI