Maqedoni
Dita e Mësuesit, Ahmeti: cilësia në arsim, përgjegjësia jonë
07.03.2018 16:57
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka pritur sot në Tetovë mësuesit dhe nxënësit e Shkollës së Mesme “Sami Frashëri”...

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka pritur sot në Tetovë mësuesit dhe nxënësit e Shkollës së Mesme “Sami Frashëri” dhe studentët e fakultetit të administratës dhe biznesit në Kumanovë. Ahmeti u shpreh se një komb identifikohet me dije, shkencë dhe arsim të mirëfilltë dhe cilësor, dhe pranon se edhe përkundër të arriturave të padiskutueshme, ende ka shumë punë për t’u bërë.
“Sot shqiptarët në Maqedoni kanë dy universitete shtetërore dhe një universitet privat publik ku punohet dhe mësohet në gjuhën amtare, por unë mendoj se sot është koha që ne duhet edhe të reflektojmë se si kemi arritur deri më sot, sa sakrifica të panumërta kanë bërë njerëzit para nesh për arsimimin dhe sot të shfrytëzohen të gjitha situatat, që ne sot të kemi një arsim shumë më cilësor, që ne të kemi një shkencë të përparuar, që ne të kemi një arsim të admiruar. Akoma lenë për të dëshiruar, akoma duhet punuar dhe duhet të investohet për një arsim sa më të përparuar dhe është përgjegjësi e të gjithë ne. Unë edhe do të punoj edhe do të luftoj jo me mjete ushtarake, por duke vënë në funksion dijen, urtësinë dhe filozofinë. Vetëm të ditur, vetëm të pajisur me kulturë të përparuar, ne mund të ecim përpara”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Nxënësit dhe studentët janë të vetëdijshëm për sakrificën që është bërë për arsimin shqip në qytetin e tyre.
“Gjenerata e prindërve tanë kanë qenë të detyruar të mësojnë jashtë Kumanovës, ata ishin edhe të burgosur për të mësuar në gjuhën shqipe”,- tha nxënësja e Gjimnazit “Sami Frashëri” – Kumanovë, Sara Emin.
“Sot në Kumanovë, pikërisht në vendin ku liderët e ish-Jugosllavisë prodhonin armë për të luftuar, ne sot aty prodhojmë dituri dhe në ballë të atij objekti gjendet flamuri ynë kuq e zi”,- theksoi Mimoza Rufati nga Unioni Studentor – Kumanovë.
Unioni Studentor dhe nxënësit e Shkollës “Sami Frashri” në Kumanovë liderit të BDI-së, Ali Ahmetit, i dhuruan një pikturë të shkollës së parë shqipe në Korçë.
VISAR SADIKI
