Maqedoni
Cilësia në arsim, ekspertët: Reformat e pamenduara devalvuan arsimin
07.03.2018 17:05
Viteve të fundit ka rënë dukshëm cilësia në arsim dhe reformat e njëpasnjëshme kanë kontribuar në devalvimin e procesit mësimor...

Kështu vlerësuan pedagogët në “Argument” në TVM2. Sipas tyre, arsimtari më nuk gëzon autoritet si më parë, nxënësve u ofrohen më shumë dituri se sa mund të nxënë, lëndët dhe orët mësimore janë shtuar në dëm të cilësisë dhe stërngarkimi i arsimtarëve me punë administrative dëmton procesin.
“Mësuesit sot janë si dje, por ata përballen me probleme të shumta administrative. Më pak i kushtohet vëmendje punës arsimore dhe programore, ndërkohë që kjo duhet të jetë anasjelltas. Proceset tjera janë irelevante për realizimin e një procesi cilësor”,- tha veteran i arsimit, Xheladin Murati.
Problem shtesë sipas ekspertëve janë reformat e njëpasnjëshme që sjellin probleme të mëdha për mësimdhënësit dhe nxënësit. Sipas tyre, tashmë përballemi me katër gjenerata të dështuara nga zbatimi i programit të Kembrixhit.
“Nëse marrim për shembull sistemet e jashtme të Italisë, Holandës, Anglisë dhe pse Sllovenia nuk e ndryshoi sistemin e vet arsimor, pse Holanda e mbajti, Finlanda sistemin e vet arsimor, që është vendi i parë në botë sepse nxënësit mësojnë për rrethin e vet, ne mësojmë për shkenca natyrore, fizikë, kimi, astronomi dhe ua mësojmë fëmijëve planetet, ndërsa ata nuk e dinë se cila bimë rritet në vendin e vet”,- u shpreh mësuesja, Muzafere Sinani.
“Duhet të veprohet në fakultetet që prodhojnë mësimdhënës, të forcohet aspekti i metodikës. Për fat të keq në çdo fakultet lëndën e metodikës e ligjëron ai profesor që nuk ka orar apo që ka më pak orë, por jo edhe ai që është i përgatitur nga aspekti i fushës, sepse kjo fushë kërkon njohuri të dyanshme edhe për sa i përket lëndës, por edhe aspekti praktik që të mund të përgatitet studenti, të jetë mësimdhënës i suksesshëm në të ardhmen. Te ne kjo është pak dobësi”,- tha profesori i universitetit, Lulzim Ademi.
“Në Byronë e Arsimit i kam përgatitur detyrat për testin PISA dhe mendoj se nuk duhet të zbatohet për nxënësit 15 vjeç dhe një trajnim është kohë shumë e shkurtër që testi PISA të dalë i shkëlqyeshëm për nxënësit e nëntëvjeçares”,- tha mësuesja, Merita Abazi.
Pedagogët po ashtu konkluduan se Fakulteti i Pedagogjisë duhet të emërohet Fakultet i Mësuesisë, sipas praktikave të vendeve në të rajonit. Sipas tyre, duhen motivuar nxënësit e shkëlqyeshëm, të regjistrohen në këtë fakultet, i cili është baza themelore për krijimin e arsimtarëve të mirëfilltë.
FLUTURA LATIFI
