Maqedoni
7 marsi, veteranet e arsimit priten nga zëvendësministri Ademi
07.03.2018 17:13
Mësueset veterane në këtë ditë feste të arsimit shqip janë pritur nga zëvendësministri i Arsimit, Arbër Ademi....

Edhe pse në pension, ato i ndjekin me shumë vëmendje dhe brengosje zhvillimet në arsim vitet e fundit. Vërejtjet ia dhanë edhe Ademit.
“Është bërë një katrahurë në arsimin shqip këtu në Maqedoni me projekte që vijnë prej jashtë, që ne nuk mund t’i realizojmë në këto kushte që i kemi. Shkollat shqipe janë në gjendje shumë të mjerueshme, si p.sh. në shkollën ku unë kam punuar ka rënë çatia në Shkollën “Liria” në Tetovë”,- deklaroi veterania e arsimit, Shpresa Sinani.
Por, edhe përkundër mangësive, ato janë të lumtura që Dita e Mësuesit tani festohet pa frikë.
“Kjo është një ditë e rëndësishme për ne shqiptarët këtu në Maqedoni, sepse vitet e fundit kemi filluar ta festojmë, prej kur nuk kemi guxuar as emrin t’ia përmendim”,- tha veterania e arsimit, Shpresa Sinani.
Ademi i falënderoi mësueset për kontributin e tyre dhe u shprehu respektin më të madh.
“Mësimdhënëset dhe veteranet e arsimit janë ato të cilat i mbajnë meritat më të mëdha që arsimimi ka arritur në këtë piedestal. Mësimdhënësit tanë janë udhërrëfyes për ne, për jetën tonë, prandaj aspak nuk tingëllon utopike fraza kur theksojmë se të gjithë suksesin të cilin ne sot e shënojmë, ua dedikojmë mësimdhënësve tanë të ndershëm”,- theksoi zëvendësministri i arsimit, Arbër Ademi.
Ademi i informoi mësueset për ndryshimet që po bëhen në arsim duke premtuar përmirësim të cilësisë, ashtu si dhe ato kanë ëndërruar gjatë viteve të tyre të punës.
ERSAN PAJAZITI
