Maqedoni

Dhuna në familje dhe dhuna ndaj gruas, duhen më shumë qendra përkujdesi për viktimat

07.03.2018 17:22

Për t’u ballafaquar me dhunën gjinore nevojitet koordinim dhe qasje e sinqertë nga të gjitha institucionet kompetente....

Tashmë është formuar trup koordinativ kundër dhunës familjare, e cila duhet të transformohet në trup koordinativ nacional kundër dhunës gjinore. Autoritetet theksojnë nevojën e hapjes së disa qendrave për përkujdesje ndaj viktimave të dhunës, por dhe edukim të personelit, madje edhe të gjykatave.
 
Dhuna ndaj grave ishte temë e konferencës se çfarë duhet të ndodhë pas ratifikimit të Konventës së Stambollit, që u organizua nga ana e zyrës së KB-së në Shkup për nder të Ditës së Grave - 8 marsin. 
 
“Është obligim i gjithë Qeverisë, i gjithë shoqërisë e cila duhet fuqimisht t’i kundërshtohet dhe t’i thotë jo dhunës ndaj grave. Me vendim të Qeverisë kemi formuar grupin interaktiv konsultativ për t’i informuar për të drejtat dhe mundësitë e barabarta të grave dhe burrave”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
“Është me rëndësi të kemi më së paku pesë qendra të krizës për viktima nga përdhunimi dhe më së paku tre qendra për ngacmime seksuale, gjithashtu hapja e më së paku 20 qendrave këshilluese për intervenime. Është i patjetërsueshëm edukimi i personelit që do të punojë në ato qendra, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Shëndetësisë, por gjithashtu nevojitet edukim i prokurorëve dhe gjykatësve”,- tha ministrja për punë dhe politikë sociale, Mila Carovska.
 
BELINDA KOKA-ADEMI