Maqedoni

Shqipëri, përmbytje në Shkodër dhe fushë Krujë

07.03.2018 17:44

Vijon të jetë problematike situata në qarkun e Shkodrës, si pasojë e reshjeve dhe e shkarkimeve nga hidrocentralet....

35 fermerë janë bllokuar në Njësinë Administrative “Ana Malit” ndërsa mbi 7000 hektarë tokë janë nën ujë. Fshati më i prekur është Oboti, ku mund të lëvizet vetëm me ndihmën e forcave të ushtrisë. Sipas informacionit të Ministrisë së Mbrojtjes, në fshatin Obot rreth 60% e banesave kanë prezencë uji në oborret e tyre, rruga e këtij fshati është e kalueshme vetëm për mjetet e larta.
 
Banorët kërkojnë ndihmë, duke thënë se ndihen mjaft të rrezikuar. Probleme nga përmbytjet ka edhe në Fushë Krujë, pasi lumi Ishëm ka dalë nga shtrati duke rrezikuar banesat. Kjo është hera e tretë brenda pak muajve që përmbyten banesat në Fushë Krujë. Problemet nuk janë shkaktuar vetëm nga përmbytjet, por edhe nga dëbora, e cila vijon që të mbajë të bllokuar 4 fshatra në bashkinë Tropojë.
 
Situata pritet që të përkeqësohet, pasi sot dhe nesër mbi vendin tonë do të mbizotërojë një mot me shi dhe shtrëngata. 
 
Deputeti i PD-së së Shkodrës, Romeo Gurakuqi, akuzoi se shkak për përmbytjet është bërë shkarkimi nga HEC-et, ndërsa kryetari i Njësisë Administrative, Arben Ceni, theksoi se situata është e rëndë, pasi niveli i ujit ka arritur mbi 1 metër.
 
LULJETA NDOKA