Maqedoni

7 marsi, aktivitete të shumta për Ditën e Mësuesit

07.03.2018 17:51

Shkollat në mbarë vendin po festojnë Ditën e Mësuesit, 7 marsin...

Në Shkup, shkollat e Çairit përmbyllën një javë të tërë aktivitetesh kushtuar kësaj dite. Autoritetet lokale premtojnë investime në arsim për rritje të cilësisë. 
 
“Ne si komunë e Çairit na mbetet qe vetëm të përkujdesemi për shkollat dhe çerdhet që t’i furnizojmë sa më shumë me mjete shkollore, në mënyrë që nxënësit të mund të përparojnë më shumë dhe të ngritin cilësinë e arsimit në këto shkolla”,- deklaroi udhëheqësi i arsimit në komunën e Çairit, Nuhi Dardhishta.
 
Arsimtarët e moshuar thonë se stafeta e dijes tani mbetet në duart e arsimtarëve të rinj.
 
“Kohërat kanë ndryshuar shumë. Ne më të moshuarit duhet të largohemi për arsye se do të vijnë gjeneratat e reja. Shpresoj që ata do të dinë edhe më mirë  të sillen me nxënësit”,- tha drejtori i Sh. F. “Ismail Qemali”, Kadri Agushi. 
 
Nxënësit, si zakonisht, ua uruan festën mësuesve të tyre. Nuk munguan as dhuratat.
 
“Dita e Mësuesit për mua ka një rëndësi shumë të madhe. Kemi blerë një dhuratë të madhe”.
 
“Dita e mesuesit për mua është shumë e mirë e dashur, kemi blerë dhuratë të përbashkët”.
 
“Për mesuesit kam shkruar poezi dhe disa lule të bukura”,- thonë nxënësit. 
 
7 marsi është festuar edhe në Tetovë. Gjimnazi “7 marsi” shënoi sot edhe patronatin e tij. 
 
“Ne si shkollë kemi përgatitur sërë aktivitetesh ku një ndër ato është dhe  ekspozita dhe program artistik i organizuar nga arsimtarët dhe nxënësit e shkollës tonë”,- theksoi drejtoresha e Gjimnazit “7 marsi” – Tetovë.
 
Autoritetet lokale e qendrore premtuan angazhim për rritje të cilësisë së arsimit.
 
“Me më shumë entuziazëm, me më shumë angazhim, sot kur ne kemi mundësi që nga shkolla fillore e deri në universitet të mësojmë në gjuhën shqipe,  të punojmë që ai mësim në gjuhën shqipe të jetë i kualitetshëm dhe konkurrentë në tregun botëror të dijes”,- theksoi kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
 
“Ne do të jemi krah të të gjithë këtyre komponentëve me qëllim që ta avancojmë edhe më tutje zhvillim e arsimit në sfera të ndryshme dhe sidomos në arsimin profesional që një kohë të gjatë na ka munguar por që tregu e kërkon”,- tha zëvendëskryeministri për implementimin e MO-së, Hazbi Lika.
 
7 marsi u festua si tradicionalisht edhe në Kumanovë.
 
“Sot shënohet 7 marsi – Dita e Mësuesit, si ngjarje me rëndësi kulturore në të gjitha trojet shqiptare dhe si ditë kur ne të gjithë kujtojmë mësuesin tonë të parë”,- u shpreh ShAShKL “Naim Frashëri”, Samet Jahiu.
 
“Ndjej kënaqësi të posaçme që në emrin tim dhe në emër të qytetarëve të Kumanovës t’ju përshëndes dhe njëherësh t’ju uroj 7 marsin – Ditën e Mësuesit Shqiptar”,- deklaroi kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
 
“Ne si komb asnjëherë nuk duhet të harrojmë etapat tona ndërshekullore të arsimit shqip në trojet shqiptare, por duhet të kontribuojmë në përmirësimin e kushteve për zhvillimin e mësimit në trojet tona”,- tha kryetari i Likovës, Erkan Arifi.
 
Aktivitete të shumta për këtë ditë janë shënuar edhe në Gostivar, Kërçovë, Dibër, Strugë dhe në vendbanimet e tjera shqiptare.
 
SEVDIE OMEROVIQ