Maqedoni
Epopeja e UÇK-së, akademi përkujtimore në Shkup
07.03.2018 18:05
Epopeja e UÇK-së është shënuar sot në Shkup në një akademi ku u përkujtua sakrifica heroike e familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri....

Rënia heroike e anëtarëve të familjes Jashari vu në lëvizje një komb të tërë dhe mbase është rast unikat në botë kur një familje vetëflijohet e tëra për lirinë e kombit të vet, potencuan të pranishmit.
“Para 20 vjetësh ishim bashkë, sot jemi bashkë dhe bashkë do të jemi gjithmonë. Lavdi të rënëve për liri!”,- tha djali i Ademi Jasharit, Lulzim Jashari.
“Liria që kemi fituar, pikërisht rrënjët i ka mu te ky gjak nga më i riu deri tek luftëtari e luftëtarët Adem Jashari me të gjithë bashkëluftëtarët e bashkëluftëtaret e tij dhe në të gjitha hapësirat shqiptare”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
“Nëse duhet të vdesë dikush, më mirë të vdesim ne se atdheu, pat thënë dikur Adem Jashari. Premtim që ai bashkë me familjen e realizoi, që Kosova e tyre të mos gjunjëzohet kurrë përpara përpjekjeve barbare për asimilim”,- theksoi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
“Figura e Adem Jasharit do të lë gjurmë të pashlyeshme në historinë e lavdishme kombëtare dhe do të mbetet shembull i madh i frymëzimit si një pikërrëfim për gjeneratat e reja që të përkujtojnë figurën e Adem Jasharit”,- tha Skender Hasani nga ITShKShM.
“Ne duhet në kËtë 20 vjetor jo vetëm që të kujtojmë këto tre figura të lavdishme, Ademin, Hamzën dhe babin e tyre, prijësin e tyre, por me përulje dhe përkushtim t’i nderojmë të gjithë anëtarët e tyre dhe këto ditë janë të pakta për ata”,- theksoi djali i dëshmorit Beqir Limanit, Fatmir Limani.
Aktivitetet treditore për 20 vjetorin e Epopesë së UÇK-së përmbyllen me manifestimin “Nata e zjarreve’’, që mbahet sonte në Skenderaj.
GYLTENE SINANI
