Maqedoni

Skandali në Anti-korrupsion, dorëhiqen edhe Aliu, Halili dhe Damçevska

07.03.2018 18:12

Presioni publik po e bën të veten. Në Komisionin për parandalimin e korrupsionit...

Presioni publik po e bën të veten. Në Komisionin për parandalimin e korrupsionit kanë mbetur vetëm dy anëtarë pasi sot dhanë dorëheqjen edhe anëtarët, Farie Aliu, Sejdi Halili dhe Zhaklina Damçevska.

Në komision aktualisht kanë mbetur vetëm anëtarët, Najdo Spasevski dhe Suzana Taskova - Axhikotareva. Dorëheqja e tre anëtarëve të tjerë sot pason dorëheqje për shkaqe familjare të  kreut të Anti-korrupsionit, Igor Tanturovskit, dhe të anëtarit dhe ish-kreut të Komisionit, Goran Milenkovit.

Pesë anëtarët e KShPK-së u tërhoqën pas publikimit të raportit nga revizioni i brendshëm, i cili nxori në pah dyshimet për shpenzime fiktive rrugore dhe shpenzime të paarsyetuara të parave buxhetore. Për raportin e revizorëve për Komisionin ka nisur hetim edhe Prokuroria Speciale.

Pak ditë më parë, nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e LSDM-së u kërkoi anëtarëve të Anti-korrupsionit të japin dorëheqje vetë, në të kundërtën iniciativën për shkarkim do ta ngrenë deputetët.