Maqedoni
Ligji për gjuhët, takim i ri Zaev-Mickovski?
07.03.2018 18:40
Edhe pse partitë nuk konfirmojnë, flitet se sërish këtë fundjavë mund të ketë takim të ri mes liderit të LSDM-së, Zoran Zaevit, dhe atij të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoskit....

Nëse kjo ndodh, do të ishte përpjekja e dytë e liderit të Social-demokratëve për të bindur kreun e opozitës maqedonase të tërheqë mbi 35 mijë amendamentet kundër Ligjit të gjuhës.
Vetë Zaevi sot nuk deshi të komentojë asgjë para kamerës, as nëse është e vërtetë se do ketë takim të radhës me Mickovskin, e as nëse e ka në kontroll grupin e tij parlamentar pas zërave se leximi i tretë i Ligjit për përdorimin e gjuhëve dështoi për shkak të rezervave brenda deputetëve socialdemokratë për të votuar të njëjtin.
Ai u përgjigj vetëm në pyetjen nëse mosmiratimi i ligjit mund të sjellë krizë në koalicionin qeverisës, zëra këto që i hodhi poshtë në mënyrë kategorike. Ligji për shqipen ishte edhe njëri ndër parakushtet e subjekteve shqiptare për formimin e Qeverisë.
Ai mori votat e shumicës parlamentare më 11 janar, por nuk u dekretua një javë më pas nga presidenti Ivanov, i cili ia kthehu sërish Kuvendit me arsyetimin se ligji është në kundërshtim me Kushtetutën.
