Maqedoni

Mediat greke: Zaev provokon, kërkon hapjen e kushtetutës sonë

07.03.2018 18:47

Deklarata e kryeministrit Zaev, i cili rekomandoi të hapet edhe Kushtetuta greke "që të shihet se si Greqia kujdeset për grekët jashtë vendit", është cilësuar nga mediat greke si provokim...

Mediat transmetuan tekstin e publikuar nga Agjencia  greke ANA-MPA, por titujt, edhe pse të ndryshëm, si kryefjalë kishin frazën “provokim”. "Provokimi i Zaevit: Edhe Greqia ta hapë Kushtetutën e saj"; "Zaev: Ndryshimi i Kushtetutës nuk është zgjidhje, e zgjodhëm irredentizmin"; "Provokon Zaev: Papritur parashtron pyetje për krahasim të Kushtetutës së Greqisë me atë të Shkupit"; "Zaev: Ta hapim edhe Kushtetutën e Greqisë", janë vetëm pjesë e titujve të tyre.
 
Edicioni online  i gazetës "Proto Tema", ndërkohë, doli me një analizë më të zgjeruar, duke  dërguar kritika të ashpra deri te pala maqedonase, e cila, sipas saj,  gjithnjë e më tepër përforcon pozita të caktuara dhe "refuzon emër të papërkthyer, ndryshim të Kushtetutës dhe ndryshim të emrit për përdorim të brendshëm ".
 
Mosmarrëveshja bazë në takimin e dy shefave të diplomacisë në Vjenë ishte çështja e Kushtetutës, por edhe fakti se Shkupi e akuzon Athinën për "marrjen e timonit" gjatë tërë procesit, analizon "Proto tema".