Maqedoni
Çair, “Shoqata e pensionistëve” zgjeron aktivitetet
18.07.2014 18:49
Edhe pse “Shoqata e pensionistëve në Çair” vepron prej shumë vitesh, deri para 6 muajsh...

Edhe pse “Shoqata e pensionistëve në Çair” vepron prej shumë vitesh, deri para 6 muajsh aktivitetet e saj kanë qenë të ngrira dhe është punuar me një rreth të vogël të pensionistëve. Shumë prej pensionistëve shqiptarë sot e kësaj dite nuk e dinë se ekziston një shoqatë e tillë.
“Një numër i mirë i pensionistëve nuk dinë se ekziston. Me aktivitetet tona tashmë mundohemi që ta ringjallim jetën, në atë kuptim që ta organizojmë dhe ringjallim jetën e pensionistëve. Mundësojmë që të organizohen në klube, të zhvillojnë jetën kulturo-argëtuese, të organizohen në degë sportive, të kenë vizita në vende të ndryshme, u jepet pensionistëve të ardhura minimale që të merren me problemet shëndetësore”- deklaroi kryetari i “Shoqatës së Pensionistëve-Çair”, Mentor Qoku.
Tani, pensionistët e Komunës së Çairit kanë klubin e tyre për tu takuar, i cili ndodhet në “Shtëpinë e Pleqve”.
Kryetari Qoku, thotë se synimi i tij është që të hapen edhe klube të tjera në Komunën përkatëse, në dobi të pensionistëve.
“Të aktivizohen, të kuptojnë se ekziston kjo Shoqatë, me aktivitetin e tyre do të vihet në zhvillim funksionimi i Shoqatës në aspekt më të mirë, mundësisht që kush ka prirje për muzikë, sport etj, të paraqitet në organizimin e pensionistëve në tërësi”- theksoi Qoku.
Sipas tij, problem është numri i anëtarëve edhe pse pensionistë ka shumë, prandaj i njofton pensionistët se aktiviteti i Shoqatës është shumë i larmishëm dhe në rast se realizohet me përpikëri, do të ketë organizim shumë më të mirë, thotë Qoku.
RINA TURKESHI-SAHITI
