Botë

Vjenë, i dyshuari afgan arrestohet për sulmin me thikë

08.03.2018 13:10

Një afgan është arrestuar në lidhje me sulmin me thikë në Vjenë të Austrisë, në të cilin katër persona janë plagosur rëndë...

I dyshuari, 23 vjeç, është arrestuar menjëherë pasi ka therur një 20-vjeçar, po ashtu afgan, bëri të ditur zëdhënësi i policisë austriake, Patrick Maierhofer.

Ai tha se policia po heton nëse i dyshuari është përgjegjës edhe për therjen e një familjeje austriake, disa orë më parë, në qendër të Vjenës. Të tre anëtarët e familjes, babai, nëna dhe vajza 17 vjeçe, ashtu si edhe viktima afgane, janë në gjendje të rëndë në spital. Emrat e tyre nuk janë bërë publikë.

Maierhofer tha se sulmi nuk duket se është i lidhur me terrorizmin, porse është herët të thuhet ndonjë gjë për motivin e sulmuesit.