Maqedoni
Barazia gjinore, Ademi: Ende ka diskriminim të gjinisë femërore.
08.03.2018 16:01
Ligjërisht, gratë edhe burrat kanë të drejta të barabarta, por në jetën e përditshme praktika flet ndryshe....

Sa i përket arsimimit, statistikat tregojnë se ka më shumë femra se meshkuj të diplomuar, por kur vjen puna për të gjetur vend pune, punëdhënësit më lehtë punësojnë meshkujt, pasi kështu u ikin pushimeve të lindjes apo raporteve mjekësore që nënat marrin për fëmijët. Po ashtu meshkujt kanë më shumë kohë edhe për punë jashtë orarit të punës.
Kur flasim për statistikat, edhe përkundër kuotave të përcaktuara, vetëm 6 nga 80 kryetarë komunash në vend janë gra. Në diplomaci, vetëm 10% janë femra, përqindja minimale e femrave është edhe në bordet drejtuese. Në gjykata përqindja është e kënaqshme, por pozicionet drejtuese sërish i mbajnë meshkujt.
Në shëndetësi ka më shumë femra, por Ministrinë e Shëndetësisë tradicionalisht e drejtojnë meshkujt. Madje, gratë përbëjnë edhe 95% të numrit të viktimave të dhunës në familje.
“Gjërat nuk kanë ndryshuar aq shumë në të mirë edhe pse jemi në shekullin XXI, ne akoma ballafaqohemi me problematika rrënjësore e mos të flasim për avancime. Përpos problematikës financiare, femra është viktima i dhunës seksuale, psikike, të mobingjeve dhe shumë të tjera. Gruaja të gjitha këto i duron vetëm e vetëm sepse nuk ka kulm, përkrahjen e duhur financave ose perceptimin e qartë të shoqërisë”,- tha aktivistja, Luljeta Ademi.
Me gjithë problemet e theksuara nga aktivistet e të drejtave të grave, femrat e anketuara nga TVM2 vlerësojnë se janë të barabarta në çdo aspekt karshi burrave, derisa meshkujt mendojnë se shoqëria duhet bërë edhe më shumë për të drejtat e femrave.
“Jemi të barabartë në punësimet karshi burrave”,- tha një Grua.
“Gratë janë të barabarta gjatë punësimeve dhe në ditët e sotme ato i realizojnë qëllimet e tyre dhe po punësohen”,- theksoi një burrë.
“Gratë aspak nuk janë të barabarta gjatë punësimeve, nuk e di, i vlerësojnë ato disi si me nënçmim dhe si të paafta”,- deklaroi një burrë.
“Punësohen një numër shumë të ulët, ato të cilat kanë njohësi, gruaja e deputetit ose e shefit, tjerat askund hiç, rrinë në shtëpi”,- tha një burrë.
“Gratë e ditës së sotme punësohen mirëpo nuk po paguhen mjaftueshëm. Me 6 ose 9 mijë denarë atyre nuk u dalin për të kaluar muajin ose për të mbajtur familjen”,- u shpreh një burrë.
Sa u përket të drejtave të femrave, të nënave, grave dhe motrave tona, si dhe vlerësimit të kontributit të tyre në shoqëri dhe familje, kjo duhet bërë për çdo dit të vitit, e jo vetëm në një datë të caktuar siç është 8 marsi, vlerësojnë të anketuarit dhe aktivistët e të drejtave të grave.
REXHEP QAMILI
