Maqedoni

Qendra spinale, gati në tetor

18.07.2014 18:52

Edhe shumë pak muaj kanë mbetur deri në hapjen e Qendrës Spinale në Klinikën e Traumatologjisë në Shkup...

Edhe shumë pak muaj kanë mbetur deri në hapjen e Qendrës Spinale në Klinikën e Traumatologjisë në Shkup, e cila do të realizojë  ndërhyrje shumë të komplikuara të  boshtit kurrizor. 
 
TVM-2, zbulon se kohëve të fundit është  duke u punuar me intensitet të madh për renovimin dhe furnizimin me pajisje të këtij reparti, ku krahas  Qendrës Spinale, rinovohen edhe disa salla të tjera në repartin e traumatologjisë.
 
“Kemi filluar me renovimin e sallave të operacionit, është investim i Qeverisë së Maqedonisë për themelimin e Qendrës Spinale, e cila do të jetë eksklusivitet i Klinikës së Traumatologjisë. Rastet e lëndimeve dhe patologjive të tjera të kurrizit edhe të legenit, do të trajtohen këtu në klinikën tonë”- deklaroi traumatologu, Ilir Hasani.
 
Projekti  për  renovimin e sallave është rreth 1 milion euro, reparti pritet të hapet në tetor. 
 
Qendra Spinale në Shkup, së bashku me ekipin e saj profesional, do të mjekojë rastet specifike të lëndimit të  boshtit kurrizor, lëndime dhe fraktura, tumore, deformitete dhe infektime në boshtin kurrizor, fraktura nga ostepeporoza, si dhe kanale të ngushtuara të kurrizit dhe të qafës.
 
Pajisjet më të sofistikuara do të mundësojnë  mjekim të njëjtë si në vendet evropiane.
 
REXHEP QAMILI