Maqedoni

Shkup, marsh kundër dhunës dhe stereotipave. Zaevi, Carovska e Sheqerinska, pjesë e marshit

08.03.2018 16:36

Me moton “jo dhunës dhe urrejtjes ndaj grave”, femra me profesione nga më të ndryshmet marshuan sot nga Parku i Grave deri tek sheshi Filipi i Dytë në Shkup...

Duhet t’i lëmë anash stereotipat dhe etiketimet që u bëhen grave dhe të luftojnë për të drejta të barabarta në shoqëri, theksuan pjesëmarrëset në marsh. 
 
“Në vitin 2018 Maqedonia shënon numrin më të madh të vdekjeve të të porsalindurve në Europë dhe arsyet për këtë nuk duhet të kërkohen tek gratë por te sistemi shëndetësor dhe shërbimet shëndetësore që ofrohen. Më shumë se 175 mijë gra nuk kanë gjinekolog në komunën e tyre, ndërkohë që 80 për qind prej grave rome u paguhen ehot që duhet të jenë falas”,- deklaroi aktivistja, Sneshka Iliç.
 
Të pranishëm në këtë marsh ishin edhe zyrtarë të qeverisë përfshi kryeministrin, Zoran Zaev. Një ndër momentet spontane ishte kur kryeministri Zaev i mbajti megafonin njërës prej aktivisteve për të drejtat e gruas. 
 
Ndërkohë, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale dhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, theksuan se Qeveria po punon për avancimin e të drejtave të grave. 
 
“Në vend të dhuratave dhe festimeve sot konsideroj se çdo grua dhe çdo burrë duhet të pyesin veten se çfarë kanë bërë vitin e kaluar për barazinë gjinore dhe çfarë do të bëjnë këtë vit për të arritur të kemi shoqëri inkluzive”,- theksoi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska.
 
“Sot në Kuvend kemi rreth 45 për qind gra. Dëshmuam se të drejtat e grave janë edhe të drejtat tona. Urime këtë ditë ndërkombëtare të gruas dhe edhe këtë ditë duhet të tregojmë se dimë se cilat janë të drejtat e garantuara të grave. Lufta jonë nuk ndalon këtu”,- u shpreh ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska. 
                                                                                                                  
Në kuadër të festës së 8 Marsit femrat sot kanë pranuar edhe urime dhe dhurata simbolike. 
                                                                                           
“Po, sot kam pranuar dhurata nga pacientë, nga të afërm dhe nga shoqëria”,- tha një qytetare.
 
“Kujdesin e tregojmë në këtë mënyrë, qoftë me një lule apo dhuratë simbolike ta shënojmë këtë festë”,- theksoi një qytetare. 
 
Barazia gjinore nënkupton më shumë të drejta për nënat, gratë, motrat dhe vajzat tona, theksuan qytetarët.
 
FLUTURA LATIFI