Maqedoni
Tribunë "Perspektiva gjinore në mbrojtje"
08.03.2018 16:58
Diskriminimi në bazë gjinore në Maqedoni vazhdon të mbetet në nivele shqetësuese. Ende ka raste të shumta kur femra diskriminohet në vendin e punës....

Problemi me diskriminimin në Maqedoni sipas përfaqësuesve të qeverisë ka qenë prezent si rezultat i ligjit aktual. Me ligjin e ri për diskriminim, i cili i është dërguar Komisionit të Venedikut për shqyrtim, do të luftohet pabarazia gjinore, theksuan panelistët.
“Kur ta sjellim ligjin, aty kemi profesionalizim të Komisionit për mosdiskriminim. Kur kemi komisionerë profesionalë të cilët vendosin se ekziston diskriminim në raste të caktuara, atëherë ajo bëhet praktikë gjyqësore dhe në këtë mënyrë e forcojmë shoqërinë tonë të luftojë kundër diskriminimin”,- deklaroi ministrja për punë dhe politikë sociale, Milla Carovska.
“Padyshim nevojitet trajtimi i barabartë para institucioneve, ligjeve dhe këtu qeveria ka absolutisht 0 tolerancë ndaj kësaj çështjeje. Megjithatë, që të mundet mekanizmat të cilat i krijojmë për ndalimin e diskriminimit të jenë funksionale dhe të qëndrueshme, ato patjetër duhet të jenë kredibile, e që të jenë kredibile ato nuk guxojnë të keqpërdoren”,- deklaroi zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
Ministrja e mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, thotë se gjendja e grave në ARM nuk është për t’u përshëndetur. Sheqerinska vlerëson se për t’u përballur me këtë problematikë duhet që të fillohet që nga edukimi nëpër akademitë ushtarake.
"Është shumë me rëndësi që të bëjmë një sistem dhe pikërisht ai është qëllimi ynë, në të cilin gratë nuk do të kenë frikë për paraqitjen e diskriminimit. Gjithashtu në akademinë ushtarake patjetër duhet të vendosim lëndë mësimore ku çështja e diskriminimit do të analizohet dhe diskutohet. Po e njëjta lëndë të jetë pjesë edhe e trajnimeve të nënoficerëve”,- tha ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
Në këtë tribunë me temë "Perspektiva gjinore në mbrojtje", e organizuar me rastin e 8 Marsit - Ditës Ndërkombëtare të Gruas, fjalë rasti pati edhe nënkryetarja e Parlamentit, Frosina Remenski, e cila shpreson se në të ardhmen e afërt ngjarjet e këtilla të shërbejnë si shembull ku do të promovohet gruaja e parë gjenerale në Maqedoni.
BELINDA KOKA-ADEMI
