Maqedoni
Sistemimi i administratorëve, Mançevski: Shpërndarja nuk do të zgjasë shumë
08.03.2018 17:17
Ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Damjan Mançevski...

Ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Damjan Mançevski, deklaroi se gjatë javëve të ardhshme do të fillohet me sistemimin e administratorëve nga Sekretariati për Zbatimin e MO-së që akoma nuk janë të shpërndarë nëpër vendet e punës.
Fillimisht do t’u jepet oferta sipas përgatitjes dhe përvojës së tyre të cilën jodetyrimisht duhet ta pranojnë, sqaroi Mançevski, por nëse nuk e pranojnë do të jenë në listën e transferimeve që më pas të mund të shpërndahen për nevojat e ndonjë institucioni tjetër nëse është e pranueshme nga ata.
“Do t’i lidhim nevojat e administratës me përvojat profesionale të personave të këtillë. Do t’u jepet ofertë e përshtatshme por nuk do të thotë se detyrimisht duhet ta pranojnë. Në raste të tilla ata do të vendosen në listën e transferimeve prej ku do të mund të marrin oferta prej institucioneve tjera, të përshtatshme apo jo atje nuk mund të ndërhyjmë”,- deklaroi ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Damjan Mançevski.
Mançevski nuk precizoi se kur përfundimisht do të shpërndahen por tha se procesi nuk do të zgjasë pafundësisht. Të parët të cilët do të shpërndahen janë ata që i përmbushin kriteret për pozitat udhëheqëse dhe më pas do të vijohet me të tjerët, tha ai.
NAIM RAMADANI
