Maqedoni
Marshi i 8 marsit në Tetovë, “s’duam lule, duam barazi, stop dhunës”
08.03.2018 17:51
“S’duam lule, duam barazi”, “Stop dhunës ndaj grave” dhe shumë mbishkrime tjera mbanin në duar pjesëmarrëset e marshit...

“S’duam lule, duam barazi”, “Stop dhunës ndaj grave” dhe shumë mbishkrime tjera mbanin në duar pjesëmarrëset e marshit protestues që u organizua në qytetin e Tetovës për nder të ditës së gruas, 8 marsit. Xhane Kreshova, njëra ndër organizatoret e marshit protestues, u shpreh se shumë gra në vend edhe sot vazhdojnë të përballen me dhunë prandaj duhet vazhdimisht të angazhohemi për barazi gjinore.
“8 marsi për ne nuk festohet në mënyrë që të shkojmë nëpër restorante, të vishemi bukur, por për ne 8 mars është çdo ditë, ne çdo ditë punojmë për një të ardhme më të mirë të gruas, çdo ditë punojmë për barazi gjinore, çdo ditë punojmë, luftojmë kundër dhunës”,- deklaroi Xhane Kreshova.
Pjesë e marshit ishte edhe kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi, e cila theksoi se avancimi i gruas është më se e domosdoshme dhe për këtë duhet të angazhohen si institucionet lokale ashtu edhe ato qendrore.
“Komuna jonë normalisht ka elementin e përfaqësimit të drejtë në pozitat kyçe dhe ajo është e dukshme në kuptimin e 50% të cilën ne e kemi në të gjitha sektorët udhëheqëse, ashtu edhe sa i përket udhëheqësve të shkollave janë gjysmë për gjysmë, 50% janë gra. Barazia është një vlerë, jo që u ndihmon grave, por të gjithë shoqërisë, dhe jam falënderuese ndaj të gjithë atyre që angazhohen në atë drejtim",- tha kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Urimet për festën e 8 marsit kryeparlamentari, Talat Xhaferi, i ka përcjellë nga komuna e Tetovës, duke i përcjellë urime edhe të parës së kësaj komune, Teuta Arifit.
Nga ana tjetër, edhe në shkollat fillore dhe të mesme, si dhe në dy universitetet e Tetovës, u organizuan aktivitete të ndryshme kushtuar ditës së gruas, 8 marsit.
VISAR SADIKI
