Botë
OKB: Në Lindjen e Mesme gratë më pak mundësi punësimi
08.03.2018 19:05
Pakistani, Irani dhe vendet në Lindjen e Mesme janë në mesin e rajoneve që ofrojnë më së paku mundësi punësimi për gratë, vlerësojnë Kombet e Bashkuara...

Raporti i Organizatës për Punë i OKB-së thotë se shkalla e papunësisë te gratë në Lindjen e Mesme është dy herë më e lartë se te burrat – përkatësisht 16.3 për qind kundrejt 6.8 për qind. Gratë në këtë rajon shpesh mbushin edhe pozita që paguhen më pak, thuhet në raport.
“Në Lindjen e Mesme nuk ekziston inkurajimi i grave për të punuar”,- tha Emanuela Pozzan, specialiste për barazinë gjinore pranë OKB-së.
“Punët nuk janë atraktive sepse pagat nuk janë atraktive”,- tha ajo, duke shtuar se edhe leja e lindjes dhe shërbimet e kujdesit për fëmijët që u nevojiten grave që punojnë janë “të dobëta” në rajon.
“Globalisht, rreth gjysma e grave punojnë, ndërsa vetëm 19 për qind e grave punojnë në Lindjen e Mesme dhe 28 për qind në Azinë Jugore”,- thuhet në raportin e OKB-së.
