Maqedoni

“Ethnos”: Nimic, në fund të muajit në Shkup dhe Athinë

18.07.2014 19:01

Ndërmjetësi, Metju Nimic, deri në fund të muajit mund të mbajë edhe një herë bisedime për emrin në Athinë e Shkup, shkruan gazeta greke “Etnos”...

Ndërmjetësi, Metju Nimic, deri në fund të muajit mund të mbajë edhe një herë bisedime për emrin në Athinë e Shkup, shkruan gazeta greke “Etnos”.
 
Gazeta, në këtë rast përkujton deklaratën e kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, i cili duke iu referuar deklaratës së kancelares gjermane, Angela Merkel, theksoi  se VMRO-DPMNE nuk do të hyjë në asnjë iniciativë apo ide, me të cilën do të kontestohej identiteti i popullit maqedonas, gjuha maqedonase dhe kombi. 
 
“Megjithatë, deri në fund të muajit ndoshta do të mbahet edhe një turn bisedimesh në Athinë e Shkup, por sipas klimës që emiton Gruevski, nuk do të ketë shumë hapësirë për optimizëm”- komenton “Etnos”. 
 
Nuk është hera e parë që mediat në Greqi drejtojnë akuza ndaj Shkupit. Mediat e kanë komentuar si konstruktive që kontesti mes Shkupit dhe Athinës të zgjidhet sa më shpejt, gjithashtu edhe deklaratën e kryeministrit Samaras se “gjuha maqedonase nuk ekziston”. E kundërta ndodh me deklaratat që jepen nga Shkupi, të cilat komentohen pa përjashtim si provokim dhe “provë se pala maqedonase nuk do kompromis”.
 
Nga ana tjetër edhe Shkupi përdor të njëjtën frymë kur bëhet fjalë për deklarata që vijnë nga Athina, të cilat quhen si provokim dhe mos dëshirë për gjetjen e një kompromisi. Kjo klimë ku të dyja palët kanë të drejtë, e ka lënë çështjen e emrit në status-quo. Nuk dihet se çfarë do të sillte për zbutjen e kësaj gjendjeje një vizitë e re e Nimicit në Shkup dhe Athinë, por gjithsesi dukshëm janë shtuar presionet ndërkombëtare që një zgjidhje duhet të gjendet, madje siç komentoi në fillim të javës edhe kancelarja gjermane, Merkel, duhet të arrihet kompromis edhe sikur ai të jetë i dhimbshëm për të dyja palët, sepse sipas Merkelit, kompromis do të thotë që të gjitha palët të jenë njësoj të palumtura.
 
Ndërmjetësuesi i OKB-së për çështjen e emrit, Metju Nimic, herën e fundit ka vizituar Athinën e Shkupin në shtator të vitit të kaluar.
 
AFRIM TANALLARI