Botë
Kthesë në marrëdhëniet ShBA - Kore e Veriut, paralajmërohet takimi Trump -Kim Jong në maj
09.03.2018 12:42
Kthesë e madhe në marrëdhëniet mes ShBA-së dhe Koresë së Veriut....

Lufta verbale mes presidentit të ShBA-ve, Donald Trump, dhe liderit koreano-verior, Kim Jong Un, pritet të marrë fund pas takimit që ata pritet të kenë në maj. Njoftimi i papritur për takimin u bë nga delegacioni i Koresë së Jugut, i cili u takua të enjten me shefin e Shtëpisë së Bardhë.
“Kim premtoi se do të përmbahet nga testime të reja të armëve nukleare dhe raketore. I është e qartë se edhe trajnimet ushtarake të Republikës së Koresë dhe ShBA-të duhet të vazhdojnë. Shprehu gatishmëri që të takohet me Trumpin sa më parë që është e mundur”,- deklaroi presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae In.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka pranuar ftesën e liderit korano-verior, Kim Jong-un, për bisedime mbi ngërçin bërthamor.
“Kim Jong-un foli për ç’nuklearizim me përfaqësuesit koreano-jugorë, jo thjesht për ngrirje. Gjithashtu, nuk do të ketë prova raketore nga Koreja e Veriut gjatë kësaj periudhe kohe. Po bëhet përparim i madh, por sanksionet do të mbeten në fuqi deri sa të arrihet një marrëveshje. Takimi po planifikohet”,- shkroi Trumpi në Twitter.
Vendimi për takim hasi në reagime pozitive në vendet e tjera aziatike që vlerësojnë se takimi do të shërbejë për të ruajtur paqen dhe do ta vendoste në rrugë të mbarë denuklearizimin e plotë të gadishullit.
“Ndryshimi i qëndrimit të Koresë Veriore është rezultat i bashkëpunimit në mes Japonisë dhe ShBA-ve, si dhe i presionit të fuqishëm të cilin Japonia, ShBA-të, Koreja e Jugut dhe faktori ndërkombëtar e kanë ushtruar mbi Veriun”,- theksoi presidenti i Japonisë, Shinzo Abe.
“Si një fqinj dhe lojtar i rëndësishëm për çështjen e Koresë, Kina e mbështet procesin e denuklearizimit dhe kërkon dialog për zgjidhje të problemit. Kina do të vazhdojë të luajë rol konstruktiv dhe pozitiv”,- tha ministri i Punëve të Jashtme i Kinës, Wang Yi.
Nga Shtëpia e Bardhë thonë se vendi dhe koha e takimit nuk janë përcaktuar dhe se deri në mbajtjen e tij të gjitha sanksionet dhe presioni maksimal ndaj vendit të izoluar komunist do të mbeten në fuqi.
BELINDA KOKA ADEMI
