Botë
Situatë e rënduar në Siri, vrasjet nuk ndalojnë
09.03.2018 13:03
Sulmet ajrore dhe predhat e artilerisë nuk lejuan as dërgimin e ndihmave për më shumë se 300 000 njerëz nën rrethim, ndërsa forcat e Bashar al Asadit përparojnë në zonën rebele...

Raportet për përdorim armësh kimike në zonë nuk kanë të ndalur, ndërsa bilanci i përgjithshëm i viktimave prej ofensivës qeveritare që nisi më 19 shkurt thuajse ka arritur në 1 000. Mjekët në Gutën lindore thanë se me dhjetëra njerëz u paraqitën në qendrat spitalore me problem frymëmarrje, simptoma të ngjashme me ato që shkaktojnë armët kimike.
Komuniteti ndërkombëtar, pavarësisht kritikave verbale ndaj Sirisë dhe Rusisë, duket i dorëzuar dhe i pafuqishëm të ndalojë dhunën në Gutën lindore, madje as ndihma nuk po mundet të çojë atje. Karvani i OKB-së dhe Kryqit të Kuq që duhej të hynte në enklavë të enjten u ndal për shkak të bombardimeve të ashpra.
Zyrtarë të OKB-së në terren thanë se jo vetëm që nuk mundën t’i dërgojnë ndihmat, por forcat e Bashar al Asadit hoqën nga kamionët pajisje mjekësore dhe ilaçe. Ushtria e Asadit, me ndihmën ruse, ka mundur të ndajë më dysh Gutën lindore dhe ka shtrënguar lakun rreth rebelëve, pavarësisht kostos së lartë në jetë civile.
