Maqedoni
Analistët: Duhet mund për të kthyer besimin
18.07.2014 19:04
Për të fituar besimin e humbur të qytetarëve shqiptarë, institucionet duhet të investojnë shumë mund...

Për të fituar besimin e humbur të qytetarëve shqiptarë, institucionet duhet të investojnë shumë mund, por edhe të demokratizohen në maksimum. Kështu vlerësojnë analistët politik, duke komentuar mosbesimin e një pjese të qytetarëve te institucionet e Shtetit.
Analisti, Ismet Ramadani, mendon se politika në Maqedoni duhet të ndryshojë në tërësi, sidomos sa i përket qëndrimit të politikës ndaj shqiptarëve, të cilët kanë ndikim maksimal në rrjedhat e përgjithshme në Maqedoni.
“Institucionet duhet definitivisht të demokratizohen dhe në institucionet ku ndahet drejtësia sidomos, duhet të largohet politika, të vijë në shprehje profesionalizmi dhe në një mënyrë shqiptarët duhet ta kthejnë besimin. Definitivisht duhet të kuptojë politika maqedonase se shqiptarët janë relevant këtu në Maqedoni, se shqiptarët me përcaktimin e tyre të paluhatshëm për integrime euroatlantike, ia duan të mirën edhe Shtetit, që ta vendosin në familjen e shteteve evropiane, të shteteve të NATO-s, por kuptohet se këtu e shohin edhe interesin e tyre edhe në Maqedoni edhe në përmasa ndërkombëtare”- deklaroi analisti politik, Ismet Ramadani.
Edhe analisti politik, Petar Arsovski, vlerëson se duhet kohë që qytetarët të kthejnë besimin te institucionet.
“Shumë është e vështirë të kthehet besimi te institucionet e sistemit në qoftë se humbet. Duhet shumë përpjekje nga Shteti dhe nga institucionet që janë kapur nëpër të gjitha situatat, t’i bindin qytetarët se procedura ka rrjedhur në mënyrë transparente dhe pa asnjë problem. Në këto raste, dukshëm qytetarët i përjetojnë situatat më shumë nga aspektin etnik, se sa nga aspekti i juridik. Është e nevojshme që të fitojnë besueshmëri edhe te procesi edhe te institucionet. Ndoshta do të duhet formim i ndonjë Komisioni të huaj, ndoshta do të duhen ekspert të huaj, por do të duhet shumë përpjekje që të kthehet besimi i cili është humbur një herë”- theksoi analisti politik, Petar Arsovski.
Analistët janë të një qëndrimi, se duhet investim më i madh që të gjithë qytetarët të kthejnë besimin në funksionimin e institucioneve të Shtetit, por për këtë edhe Shteti duhet të investojë për të krijuar mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e tij.
MEFAIL ISMAILI
