Maqedoni
"Qytetet e mençura" - koncepti për mjedis të shëndetshëm urban
09.03.2018 16:26
Koncepti i “Qyteteve të mençura” është mjet për të përmirësuar jetën në zonat urbane

Koncepti i “Qyteteve të mençura” është mjet për të përmirësuar jetën në zonat urbane, ky koncept është gjithashtu një mundësi e mirë për rritjen ekonomike dhe zhvillimin e shtetit përmes ndërtimit të mjediseve të qëndrueshme urbane në të cilat autoritetet lokale, industria dhe qytetarët do të jenë të barabartë. Që këto “qytete të mençura” të funksionojnë, shteti duhet të investojë së bashku me vetëqeverisjen lokale dhe sektorin privat për të ofruar infrastrukturë bazë.
“Kryetarët e komunave do të duhet të kuptojnë se vetë teknologjia nuk do ta bëjë qytetin më të mençur. Ndërtimi i “qyteteve të mençura” kërkon një kuptim politik të teknologjisë. Kryetarët e komunave së shpejti do të përballet me sfida të mëdha për të siguruar shërbimet bazë për qytetarët, si për shembull ujin”,- deklaroi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Publike, Damjan Mançevski.
“Smart Ohri” do të jetë përqendrimi i parë i autoriteteve në këtë drejtim, me ndihmën e Ambasadës zvicerane.
“Vlerat e veçanta të liqenit të Ohrit dhe statusi i tij në UNESCO e bëjnë një zonë që kërkon vëmendje të veçantë dhe të gjithë faktorët e përfshirë duhet të marrin në konsideratë çështjet e lidhura me mbrojtjen e liqenit dhe mjedisit rreth tij sa më seriozisht. Ne mbështesim përgatitjen e një studimi të fizibilitetit që do të ofrojë një pikëpamje të ndryshme dhe zgjidhje të zgjuar për sfidat që lidhen me transportin në rajonin e Ohrit. Pra, bëhet fjalë për qasje inovative që aplikohet si metodologji për herë të parë në Maqedoni”,- tha ambasadorja e Zvicrës në RM, Sibil Suter Tejada.
Popullsia urbane në botë është në rritje të vazhdueshme, pritet që deri në vitin 2050, 70% e popullsisë në botë të jetojë në zonat urbane. Kjo është edhe arsyeja pse shumë qytete në botë janë të interesuara të përdorin teknologji inovative për të përmirësuar kushtet e jetesës në zonat urbane. Qendra për hulumtim dhe informim për mjedis jetësor “Eko-vetëdije” ka përgatitur një broshurë informative për qytetet e zgjuara për të dhënë shembuj praktikë se çfarë nënkupton dhe ku mund të përdoret ky koncept në vendin tonë.
GYLTENE SINANI
