Maqedoni

Ushqimi në kopshte dhe shkolla, sanksione për ata që nuk i respektojnë standardet

09.03.2018 16:54

Në vendin tonë, ka fëmijë të kequshqyer dhe fëmijë me peshë të madhe trupore, kjo për shkak të pamundësisë që fëmijët të ushqehen në mënyrë të balancuar...

Mungon vetëdija për ndikimin që mund të ketë jo vetëm në shëndetin e fëmijës, por edhe në aftësinë e tij për mësim kjo mënyrë e të ushqyerit që iu ofrohet fëmijëve tanë, sidomos në periudhën kur ata hanë jashtë shtëpisë, në kopshte apo në shkolla.
 
Nisur nga ky fakt, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale kanë përgatitur një rregullore për mënyrën e ushqimit të fëmijëve në kopshte dhe shkolla, të cilat këto institucione janë të detyruara ta respektojnë. 
 
“Me ndryshimet e reja ligjore, shkollat dhe drejtorët do të duhet të respektojnë rregulloren për ushqyerje dhe të kenë kujdes për cilësinë e ushqimit që u ofrohet. Ligji parasheh edhe sanksione për mosrespektimin e standardeve të të ushqyerit”,- deklaroi ministrja e Arsimit, Renata Deskovska Trenevska.
 
“Maqedonia si shtet është e varfër dhe një pjesë prej familjeve nuk mund t’u ofrojnë ushqim të balancuar fëmijëve të tyre. Prandaj, sistemi dhe shoqëria përmes kopshteve dhe shkollave duhet të ofrojë minimumin e vlerës së ushqimit që fëmijët duhet ta konsumojnë çdo ditë”,- tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska.
 
“Fëmijët që nga mosha e re duhet të konsumojnë shujta të balancuara edhe në kopshte, por edhe në shkolla që të krijojnë shprehi të shëndosha sepse ushqimi ka ndikim të madh në aftësinë për të mësuar”,- u shpreh përfaqësuesi i UNICEF-it, Benxhamin Perks.
 
Ushqimi në kopshte e shkolla nuk është problem vetëm i Maqedonisë. Edhe vendet fqinje kanë hapur tashmë debate për cilësinë e ushqimit që u ofrohet fëmijëve në institucionet arsimore dhe po bëhen përpjekje maksimale për të ndryshuar gjendjen e për t’u mundësuar fëmijëve të marrin të gjitha vlerat ushqyese që u nevojiten për moshën e tyre. 
 
FLUTURA LATIFI