Maqedoni
Gjorçe Petrov, pronarët riparojnë vetë dyqanet
18.07.2014 19:08
Para dy muajve, ky vend i ngjante një fushëbeteje. Revolta e qytetarëve të Gjorçe Petrovit pas vrasjes së një 19 vjeçari, shkaktoi thyerjen dhe djegien e disa lokaleve...

Para dy muajve, ky vend i ngjante një fushëbeteje. Revolta e qytetarëve të Gjorçe Petrovit pas vrasjes së një 19 vjeçari, shkaktoi thyerjen dhe djegien e disa lokaleve, të cilët ishin pronë kryesisht e qytetarëve shqiptarë.
TVM 2 qëndroi sot në Gjorçe Petrov për të parë a janë rinovuar dyqanet e djegura. Jo të gjithë donin të prononcoheshin për kamerën tonë, por pronarët që intervistuam, na thanë se po rinovojnë dyqanet, pasi nuk e kanë ndërmend të largohen që aty, por dyqanet po i riparojnë vetë, pa asnjë ndihmë nga institucionet shtetërore apo komunale.
“Unë i kam dy objekte në Komunën e Gjorçe Petrovit, diku 100 mijë denarë më kanë kushtuar harxhimet për rinovim nga dëmi i shkaktuar nga protestat e maqedonasve. E kam paraqitur rastin në Polici, kemi qenë në Prokurori ato ditë dhe aq, s’ka asgjë prej kësaj. Ditën e parë vetëm kanë ardhur, na përshëndetën dhe aq. S’kemi çka të kërkojmë, sepse për kryetarin e Komunës së Gjorçe Petrovit ne jemi vetëm jetima, asgjë tjetër”- deklaroi pronari i një lokali në lagjen Gjorçe Petrov, Nexhip Emini.
Dëmshpërblimi për pronarët, është vetëm një fjali e dëgjuar shumë herë deri tani, por që asnjëherë nuk është realizuar.
Pronarët thonë se zakonisht nuk kanë asnjë problem, por ata iu tremben incidenteve ndëretnike, pasi nëse ndodh ndonjë gjë në Shkup, atyre u dëmtohen objektet, e më pas rinovimin e tyre duhet ta bëjnë me mjete vetanake.
SANIJE KASAMI
