Maqedoni

Duraku takon Deharin, inspekton punët ndërtimore në stacionin filtrues

09.03.2018 17:32

Temë qendrore e takimit të sotëm të ministrit të mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Sadulla Durakut, dhe kryetarit të Kërçovës, Fatmir Deharit...

Temë qendrore e takimit të sotëm të ministrit të mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Sadulla Durakut, dhe kryetarit të Kërçovës, Fatmir Deharit, ishte situata ekologjike në këto hapësira dhe masat që merren aktualisht për uljen e shkallës së ndotjes të ambientit jetësor.
 
Ndërtimi i stacionit filtrues ndodhet në fazën përfundimtare të ndërtimit dhe ai është një projekt kapital që do të realizohet brenda këtij viti, potencuan ministri Duraku dhe kreu i Kërçovës, Fatmir Dehari, pas inspektimit të punëve ndërtimore në stacionin për filtrimin e ujërave të zeza.
 
Kryetari Dehari e falënderoi ministrin Duraku edhe për qasjen ndaj deponive dhe trajtimit të mbeturinave që do të përfshihen në projektin qeveritar që kap shifrën 33 milion euro.
 
Ministri Duraku gjithashtu paralajmëroi edhe ndihmën e ministrisë që ai drejton në pastrimin e shtretërve të lumenjve, të cilët kanë shkaktuar probleme të mëdha për popullatën vendore gjatë vërshime me rastin e reshjeve të shiut dhe të borës.
 
SHABAN DALIPI