Maqedoni

Kontesti rreth emrit, Koxias pritet të dorëzojë pr/marrëveshjen greke; Osmani: Jemi në fazën më kritike të procesit

09.03.2018 17:55

Ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Koxias, javën e ardhshme do të udhëtojë në Shkup për t’ia dorëzuar homologut të tij, Nikolla Dimitrovit...

Ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Koxias, javën e ardhshme do të udhëtojë në Shkup për t’ia dorëzuar homologut të tij, Nikolla Dimitrovit, projekt-marrëveshjen greke për zgjidhjen e kontestit rreth emrit. Pas paralajmërimeve të mediave greke, lajmin e konfirmoi edhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani. 
 
“Komunikimi i drejtpërdrejtë është shumë i rëndësishëm, pa paragjykuar se cili do të jetë epilogu i bisedimeve. Por, natyrisht nuk mund të ketë zgjidhje pa kontakte të përditshme dhe përfshirje të të gjitha palëve për të ndihmuar këtë proces”,- thotë Osmani duke shtuar se tani procesi është në fazën më kritike.
 
Ndërkohë, pala greke nuk dëshiron pjesë nga përmbajtja e dokumentit të dalë në opinion, ndërsa konsultimet diplomatike të transferohen në faqet e para në media. Për këtë qëllim, pritet që Koxias personalisht t'ia dorëzojë projekt - marrëveshjen greke shefit të diplomacisë, Nikolla Dimitrov.
 
Bisedimet rreth emrit mbajnë ndezur debatin politik edhe te fqinji jugor. Akuza të ndërsjella për pozicionet në çështjen e emrin kanë këmbyer kryeministri grek, Aleksis Cipras, dhe lideri i Demokracisë së Re, Kirijakos Micotakis, gjatë një debati në parlamentin grek. Micotakis e akuzoi Qeverinë greke se nuk ka një pozicion të përbashkët për emrin.
 
"Që nga momenti i parë ju thamë, pse hyni në këtë bisedë kur nuk e keni siguruar parakushtin e domosdoshëm minimal që të ketë zgjidhje të pranueshme të ndërsjellë, ndërsa ai është ndryshimi i Kushtetutës",- tha Micotakis. 
 
“Qëndrimet greke janë edhe linja kombëtare në negociatat që i mbështet edhe Demokracia e Re”, u kundërpërgjigj Cipras duke sqaruar se nuk e ka ndryshuar pozicionin.
 
"Ne kërkojmë zgjidhje në çështjen kyçe, të rëndësishme për emrin e vendit fqinj me dy parakushte themelore: emër i përbërë, erga omnes, ndërsa erga omnes, dukshëm do të thotë se nuk mund të jetë erga omnes vetëm për përdorim të jashtëm, por edhe për përdorim të brendshëm, gjegjësisht ndryshim edhe të emrit kushtetues",- u përgjigj kryeministri grek.
 
SHPËTIM NUREDINI