Maqedoni
Institucionet kulturore në Tetovë, rritet buxheti për kulturën shqiptare
09.03.2018 18:04
Institucionet e kulturës në Tetovë për vitin 2018 fitojnë buxhet nga Ministria e Kulturës shumë më të madh se sa në vitet paraprake ku të njëjtave u ndaheshin vetëm mjete simbolike...

Galeria e arteve në Tetovë fiton dukshëm buxhet më të madh,dy fish buxhet më të madh fiton edhe Teatri i Tetovës, gjë kjo që u lehtëson punë në aktivitetet e tyre këtyre dy institucioneve.
“Për dallim nga vitet tjera, sivjet është katërfishuar buxheti i galerisë sonë, gjegjësisht nga 1 milion denarë sivjet është rritur në 4 milion e 400 mijë denarë. Për dallim nga vitet tjera, sivjet kemi 700 mijë denarë për Koloninë artistike dhe besoj se do të dalë shumë e suksesshme”,- u shpreh drejtori i Galerisë së Arteve në Tetovë, Afrim Ziberi.
“Problemi me ngrohjen, hapësirat, të gjitha janë eliminuar, siç e përmendi edhe sekretari shtetëror, kemi një buxhet dukshëm më të madh se viteve të kaluara”,- theksoi drejtori i Teatrit të Tetovës, Arsim Fazliu.
Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Valmir Aziri, potencoi se mjetet do të shtohen. Për ndërtimin e Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës për këtë vit janë ndarë 250 milionë denarë. Përfundimi i tërë projektit që do të kapë vlerën prej 26 milionë eurosh, pritet të ndodhë në vitin 2020.
“Është hera e parë që institucionet shqiptare do të vjelin mjete buxhetore të dyfishuara, diku edhe trefishuara. Pesëfish është ndarë për Koloninë e artistëve e cila është tradicionale në Galerinë e arteve. Ne kemi marrë parasysh kërkesat që ka pasur Teatri i Tetovës, është një program që kap vlerën prej 7 milion dinarëve, që është një buxhet dyfish i vitit të kaluar. Vlen të theksojmë se deri më tani në Ministrinë e Kulturës janë ndarë, gjegjësisht për Teatrin e Tetovës për vitin 2018 janë ndarë 250 milionë denarë për investimet në objektin kapital i cili tashmë ka marrë formën dhe trajtën e duhur”,- deklaroi sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Valmir Aziri.
Aziri më tej shtoi se Ministria e Kulturës ka ndarë mjete edhe për Kalanë e Tetovës dhe për shtëpinë e Halim Bej Derallës, të cilat janë vlerë e kulturës shqiptare dhe të njëjtat duhen të mirëmbahen.
VISAR SADIKI
