Maqedoni
DAP: Qytetarët edhe 5 ditë afat për paraqitjen e tatimit
09.03.2018 18:23
Kanë mbetur edhe pesë ditë pune deri në afatin e fundit për parashtrimin e fletëparaqitjeve tatimore vjetore, i cili skadon të enjten, javën e ardhshme...

1/3 e qytetarëve të cilët kanë realizuar të ardhura shtesë nuk kanë parashtruar fletëparaqitje, siç informojnë nga DAP-i. Në përfundim me ditën e djeshme janë parashtruar 235 mijë fletëparaqitje, ndërsa vetëm 1200 e kanë shfrytëzuar sistemin elektronik. Në sportelet e DAP-it qytetarët thonë se nuk ka pritje të gjata.
“Për 5 min. kam mbaruar punë”,- u shpreh një qytetar.
“Mbarova shpejt punë, nuk ka rrëmujë”,- tha një qytetar.
Detyrim për të paraqitur fletëparaqitje tatimore kanë të gjithë qytetarët të cilët përveç pagës dhe pensionit kanë realizuar të hyra shtesë nga qiraja, të drejtat autoriale, prona industriale, lojërat e fatit dhe dividendës.
Nga DAP-i thonë se deri më 15 mars priten rreth 170.000 qytetarë t’i paraqesin të ardhurat, apelojnë që mos të presin deri ditën e fundit. Nga viti ardhshëm qytetarët nuk do të kenë obligim që të paraqesin të ardhurat shtesë, drejtoria do t’i mbush vetë fletëparaqitjet dhe nëpërmjet formës elektronike do t’i dorëzojë deri tek tatimpaguesit.
“Ky është viti i fundit që qytetarët janë të obliguar të paraqesin fletëparaqitje tatimore. DAP-i me sistemin e ri të tatimit personal do t’i përgatisë fletëparaqitjet vjetore dhe do t’i dorëzojë deri tek tatimpaguesit. Qytetarët pas muajit të parë janë të obliguar t’i paraqesin të ardhurat e tyre në mënyrë elektronike dhe deri më 15 mars do të duhet të paguajnë, ashtu që DAP-i do të ketë këqyrje dhe me kohë t’i përgatisë ato fletëparaqitje vjetore dhe t’i dorëzojë tek tatimpaguesit”,- thuhet nga DAP-i.
Edhe qytetarët shprehen të kënaqur që nga viti i ardhshëm nuk do të kenë më obligim që t’i paraqesin të ardhurat shtesë.
“Me siguri më mirë do të jetë dhe nuk do të ketë rrëmujë, ata edhe në këtë mënyrë e dinë se sa janë të ardhurat e qytetarëve”,- theksoi një qytetar.
“Ata e dinë automatikisht cilët janë tatimpaguesit dhe kujt duhet t’i dorëzojnë listë”,- tha një qytetar.
Me qëllim të shmangies së rrëmujës në sportelet tatimore, DAP-i përkujton se qytetarët mund t’i parashtrojnë fletëparaqitjet edhe në pika shtesë si në Qendër, si dhe në komunat Gjorçe Petrov, Butel, Gazi Babë dhe Aerodrom apo t’i parashtrojnë përmes sporteleve mobile tatimore.
GAZMEND REXHEPI
