Maqedoni
Fillimi i negociatave me BE-në, Xhaferi dhe Osmani presin ambasadorët austriakë
09.03.2018 18:29
Një delegacion austriak, i përbërë nga ambasadorët e Austrisë në vendet e rajonit dhe udhëheqësi i Sektorit për Ballkanin Perëndimor...

Një delegacion austriak, i përbërë nga ambasadorët e Austrisë në vendet e rajonit dhe udhëheqësi i Sektorit për Ballkanin Perëndimor dhe për Zgjerim në Ministrinë Federale austriake për Europë, Klaus Velfer, po qëndrojnë në vendin tonë.
Ata janë takuar sot edhe me kryeparlamentarin, Talat Xhaferin, dhe zëvendëskryeministrin për çështje europiane, Bujar Osmanin.
"Nëse Kryesimi i Bullgarisë me Këshillin e Europës për ne paraqet një lloj trampoline për kthimin e vendit në binarët europiane, synimi ynë është që gjatë kryesimit të Austrisë të fillojmë negociatat për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian”,- theksoi Osmani.
Duke iu referuar Strategjisë së Komisionit Europian për zgjerim me vendet e Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2025, Osmani tha se Komisioni dërgoi mesazhe të qarta se Maqedonia duhet të presë rekomandim të pastër për fillimin e negociatave me raportin e ardhshëm, në përputhje me shmangien e pengesave politike dhe vendim nga Këshilli i BE-së për fillimin e negociatave.
“Morëm mesazhe jashtëzakonisht të rëndësishme nga ana e Komisionit Europian, me të cilat valorizohet progresi i deritanishëm në implementimin e reformave dhe përgatitja e vendit për progres në integrimet europiane, por edhe shans për t’u përfshirë dinamikës 2025 të Komisionit Europian”,- theksoi Osmani.
Takimet janë pjesë të aktivitetit të gjerë të Austrisë për skanim të thellë të gjendjeve në Ballkanin Perëndimor, para marrjes së kryesimit në qershor nga ana e vendit me Këshillin e BE-së.
