Maqedoni

“Monstra”, Protesta të qeta në Shkup

18.07.2014 19:19

Me parulla, të cilat përcillnin mesazhe për kërkim të drejtësisë, protestuesit iu drejtuan Gjykatës Themelore, por policia ndali marshin e tyre pranë Q. T. “Mavrovasja”...

Me parulla, të cilat përcillnin mesazhe për kërkim të drejtësisë, protestuesit iu drejtuan Gjykatës  Themelore, por policia ndali marshin e tyre pranë  Q. T. “Mavrovasja”.
 
Protestat e sotme kishin një Këshill Organizativ të drejtuar nga familjarët. Ata ritheksuan kërkesat e bëra në protestën e javës së kaluar, duke kërkuar lirimin e të akuzuarve, shkarkimin e prokurores dhe gjykatësit të angazhuar në këtë rast, si dhe dorëheqjen e ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska. 
 
“Ky është Parlamenti i popullit, këtu mendojmë t’i fitojmë të drejtat tona. Ne po protestojmë në mënyrë paqësore, për t’ia bërë më dije politikanëve se drejtësia nuk vlen vetëm për ta, por për popullin. Do t’i shfrytëzojmë të gjitha të drejtat tona, duke marrë parasysh edhe Parlamentin edhe Qeverinë edhe të gjitha institucionet. Apeloj te politika që t’i rregullojnë çështjet në mënyrë politike, mos ta nxjerrin popullin në rrugë që të kërkojë drejtësi dhe liri për të drejtat që u takojnë”- deklaroi familjari, Bedri Ajdari.
 
“Ngremë zërin kundër procesit të montuar politik “Monsta”, me bindje që protestat si dhe kërkesat tona nuk do të hasin në vesh të shurdhër, por përkundrazi, kërkesat tona legjitime do të jenë zgjidhje përfundimtare e labirintit të politikës së padrejtësive ndaj shqiptarëve të pafajshëm”- theksoi nga Këshilli Organizativ, Daim Luçi.    
 
Nga Këshilli Organizativ, kërkuan nga Avokati i Popullit, Komiteti i Helsinkit dhe OSBE që të vizitojnë të arrestuarit nga protestat e kaluara në Shkup dhe Tetovë dhe ta informojnë opinionin për gjendjen e tyre fizike dhe shëndetësore.
 
FLORIJE KAMBERI