Maqedoni
Maqedonia sërish në agjendën e Suedisë, Osmani: 9 mil. euro ndihmë për eurointegrimet; Jamtin: investojmë për zhvillim të demokracisë
12.03.2018 14:15
Suedia pas 6 vitesh ndërprerje riktheu sërish ndihmat zhvillimore për Maqedoninë...

Ndihma e cila kësaj radhe kap vlerën prej 9 milionë euro u vlerësua si mirënjohje për përkushtimin e Qeverisë që të rikthejë vendin në rrugën euroatlantike, njëkohësisht edhe përkrahje për implementimin e reformave në vend.
Kështu vlerësoi zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim zhvillimor mes Maqedonisë dhe Suedisë me drejtoreshën e Përgjithshme të Agjencisë suedeze për bashkëpunim ndërkombëtar, Kerin Jamtin.
“Ne e kemi nisur një agjendë goxha dinamike e cila nuk mund të mbulohet vetëm me mjete buxhetore, buxheti ka limitet e veta dhe këto ndihma do të vinë mu atje ku duhet të ketë përforcim të shtetit ligjor, të bëhen reformat në gjyqësor në shërbimet e inteligjencës apo në administratën publike dhe kjo të japë një rezultat që do jetë i qëndrueshëm për qytetarët e Maqedonisë”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.
Drejtoresha e Agjencisë suedeze për bashkëpunim zhvillimor, Kerin Jamtin, tha se Suedia dëshiron ta sheh Maqedonisë si lojtare të rëndësishme në rajon.
“Prioriteti ynë është që të ndihmojmë në zhvillimin e ekonomisë në vend, të keni demokraci të përforcuar, sundim të së drejtës dhe përmirësimin e ambientit jetësor. Respektimi i të drejtave të njeriut dhe anti-korrupsioni janë elemente të rëndësishme në këtë proces”,- u shpreh drejtoresha e Agjencisë suedeze për Bashkëpunim Zhvillimor, Kerin Jamtin.
Suedia do përkrah edhe procesin eurointegrues të vendit ndërkohë implementimi i projekteve konkrete nga kjo marrëveshje pritet gjatë këtij viti.
FLUTURA LATIFI
