Maqedoni

Takimi Zaev-Zvizdiq, perspektiva e rajonit është në BE

12.03.2018 14:38

Qytetarët e Maqedonisë dhe Bosnjë e Hercegovinës mund të udhëtojnë vetëm me letërnjoftim...

Qeveritë e dy vendeve nënshkruan marrëveshjen, që hap rrugën për lëvizjen e lirë të qytetarëve, një praktikë që tashmë Maqedonia e ka vendosur edhe me Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë.
 
Maqedonia dhe Bosnjë e Hercegovina dërguan një mesazh të fuqishëm se janë seriozisht të përkushtuara në marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe për një rajon të bashkuar e të përkushtuar drejt perspektivës europiane, tha kryeministri Zaev.
 
Sipas tij, procesi i Berlinit solli një dinamikë të bashkëpunimin rajonal dhe liderët e rajonit po tregojnë se janë të gatshëm të veprojnë në përputhje me pritjet e qytetarëve, që nuk dallojnë shumë nga pritjet e qytetarëve europianë: kushte për jetë cilësore dhe përparim. 
 
“Po punojmë në mënyrë aktive dhe presim rezultate nga iniciativa për bashkëpunim ekonomik dhe lidhje të komuniteteve të biznesit me përkrahjen që po ua japim investuesve. Punojmë për lidhje infrastrukturore, siç u dakorduam në Trieste. Është hapur mundësia e shfrytëzimit të fondeve IPA që do të na ndihmojnë në këtë drejtim dhe kemi mbështetje nga miqtë tanë në BE dhe BERZh. Ardhmëria e Maqedonisë është në BE, njësoj si ardhmëria e Bosnjë e Hercegovinës”,- deklaroi kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.
 
Kryetari i Këshillit të ministrave të BeH, Denis Zvizdiq, vlerësoi se marrëveshjet e nënshkruara mes dy vendeve shkojnë në drejtim të rrumbullakimit të idesë për një Ballkan Perëndimor në të cilin qytetarët do të lëvizin më të lirë dhe kjo dërgon edhe një mesazh të fuqishëm për një rajon kompakt të orientuar nga BE.
 
“Vendet tona nuk kanë çështje të hapura bilaterale. Kemi të njëjtat qëllime, Bashkimin Europian, duam paqe dhe siguri, standard më të lartë jetësor për qytetarët tanë. Punojmë në përmirësimin e transportit, energjetikës, digjitalizimit, jemi afër marrëveshjes për një linjë ajrore që do të lidhë Maqedoninë, Bosnjë e Hercegovinën dhe Malin e Zi, e që do lehtësojë punën e bizneseve duke përmirësuar bashkëpunimin ekonomik”,- u shpreh kryetari i Këshillit të ministrave të Bosnjë Hercegovinës, Denis Zvizdiq.
 
Zaevi dhe Zvizdiqi potencuan se të dyja vendet presin afrim në procesin eurointegrues në Samitin e KE-së në qershor. Zaevi tha se Maqedonia, përveç datës për fillimin e bisedimeve, shpreson që shpejt të bëhet edhe anëtarja e 30 e NATO-s.
 
Mes Maqedonisë dhe Bosnjë e Hercegovinës u nënshkrua edhe protokolli në sferën e arsimit, që mundëson kushte të njëjta gjatë regjistrimit të nxënësve të shkollave të mesme dhe studentëve.
 
Dy vendet shikojnë mundësinë e bashkëpunimit edhe në bujqësi, turizëm, industrinë ushqimore, në mbrojtje dhe polici.
 
FLUTURA LATIFI