Maqedoni
Ligji për përdorimin e gjuhëve, Zaev: Ligji të miratohet gjatë javës; VMRO: Tërhiqni ligjin, do t’i mbështesim reformat
12.03.2018 16:00
Ligji për përdorimin e gjuhëve do të miratohet gjatë kësaj jave...

Kryeministri, Zoran Zaev, thotë se nëntë muaj debat rreth këtij ligji ka qenë i mjaftueshëm dhe se deputetët, posaçërisht ata të shumicës, kanë kohë që brenda javës të mbyllin diskutimet dhe të miratojnë ligjin.
“Nëntë muaj kemi debat të hapur. Të gjithë thanë çfarë kishin për të thënë. Mosmiratimi i ligjit është pamundësim i një të drejte kushtetuese të qytetarëve nga bashkësitë më të vogla etnike. Të lejojmë që të realizohet e të zbatohet dhe do të shohim të gjithë se nuk është asgjë e dhimbshme, e vështirë apo tragjike, por është diçka që do të mundësojë që të kuptohemi më lehtë mes veti. Porositë që lëshon kryetari i opozitës më ngjasin si “copy-paste” nga Nikolla Gruevski”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
VMRO-DPMNE, nga ana tjetër, konsideron se kryeministri kërkon miratimin e ligjit pasi është i shantazhuar nga partneri i koalicionit qeverisës, prandaj ofron mbështetje për proceset reformuese por me kusht që Zaevi të tërheq Ligjin për gjuhët.
“Ligj i tillë nuk miratohet nga dëshira për prosperitet, por nën shantazh. Nëse Zoran Zaevi është i shantazhuar nga partnerët e koalicionit që të miratojë Ligjin për gjuhët dhe ka frikë se do t’i zhbëhet Qeveria, VMRO-DPMNE me të gjithë deputetët ofron mbështetje për proceset reformuese, vetëm me një kusht, të tërheq Ligjin për gjuhët”,- thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.
Sipas opozitës maqedonase, proceset reformuese janë më të shumta dhe më të rëndësishme se sa miratimi i, siç thonë, Ligjit jokushtetues për gjuhët.
Mirëpo, zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani, e ka cilësuar qëndrimin e VMRO-DPMNE-së si papërgjegjësi politike dhe retorikë e vjetruar nga e cila ka pësuar vetë VMRO.
“Nëse dikush kërcënon agjendën reformuese me mosmiratimin e ligjit, është kulmi i papërgjegjësisë politike që mund të bëjë një parti politike. Retorika se ne do ta mbështesim një qeveri monoetnike vetëm për të mos miratuar Ligjin e gjuhës është vokabular i kaluar që kemi menduar se edhe VMRO e ka kuptuar se ajo politikë i ka sjellë atje ku janë tani”,- u shpreh zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
Sa i përket stabilitetit të shumicës parlamentare, vetë kryeministri Zaev tha se qeveria është stabile dhe po rritet. Ai premtoi se përmes procedurave demokratike, kushtetutës dhe ligjeve do të lëviz përpara çështjet që do ta forcojnë multietnicitetin në shtet që më pas Qeveria të mund të angazhohet në arsim, shëndetësi, infrastrukturë etj.
SHPËTIM NUREDINI
