Maqedoni
Shënohet 75 vjetori i Holokaustit
12.03.2018 17:30
Me një minutë heshtje, në hapësirat e monopolit të dikurshëm, përfaqësues të korit diplomatik, komunitetit izraelit...

Me një minutë heshtje, në hapësirat e monopolit të dikurshëm, përfaqësues të korit diplomatik, komunitetit izraelit, delegacioneve të huaja dhe përfaqësues të qeverisë shënuan 75 vjetorin e deportimit të hebrenjve nga Maqedonia gjatë Luftës së Dytë Botërore. Holokausti mbetet një masë e përgjithshme e së keqes më të madhe njerëzore, tha përfaqësuesja e pasardhësve të komunitetit izraelit në Maqedoni.
“Të falim por të mos harrojmë në mënyrë që askund dhe askujt të mos i përsëritet. Të mbajmë mend ditë nga viti 1943, të shënojmë ditë të kaluara nga 75 vite të hebrenjve nga Maqedonia”,- deklaroi kryetarja e komunitetit hebre në Maqedoni, Berta Romano Nikoliq.
Këto leksione duhet të na shërbejnë për ta ndriçuar rrugën e së ardhmes, tha kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, me këtë rast.
“Bashkëqytetarët tanë hebrenj ishin libra e ekzistimit tonë të përbashkët të shkruar ndër vite dhe shekuj në histori dhe traditë. Luftë dhe sfidë për një të nesërme më të mirë për të gjithë që jetuan dhe jetojnë në këto hapësira. Ata të cilët arritën që të shmangin këtë çmenduri të përgjakshme kanë lënë gjurmë të hatashme në historinë tonë të përbashkët”,- theksoi kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.
Jemi këtu për të respektuar çdo jetë të humbur, por edhe për të nxjerrë mësim, tha kryeministri bullgar, Bojko Borisov, i cili mori pjesë në shënimin e kësaj dite.
“Jemi këtu për të treguar respekt dhe pikëllim për njerëzit e vrarë, por gjithashtu për të nxjerrë përfundime dhe për të kuptuar se në Ballkan duhet të ndërtojmë, të punojmë së bashku, të mëtojmë për rregullim më të mirë dhe kombet të na jetojnë më të lumtur ndërsa ajo të mbetet në histori”,- u shpreh kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov.
Ndërkohë, kuvendi mbajti një seancë të veçantë. Parlamenti në mënyrë aktive është kyçur ndërsa deputetët njëzëri kanë miratuar edhe deklaratë kushtuar shënimit të kësaj dite, tha kryeparlamentari, Talat Xhaferi.
“Nëpërmjet miratimit të deklaratës me rastin e 75 vjetorit të deportimit të hebrenjve nga Maqedonia në logorin e vdekjes Treblinë, dërgojmë mesazh të fuqishëm se Holokausti dhe ndonjë gjenocid tjetër asnjëherë nuk guxojnë të përsëriten”,- tha kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi.
Deputeti, Tomisllav Tuntev, lexoi pjesë nga deklarata.
“Theksohet vendosmëria e vendit tonë që të mos harrohen 7144 hebrenjtë e Maqedonisë dhe të gjithë hebrenjtë tjerë dhe viktima të Holokaustit”,- u shpreh deputeti, Tomisllav Tuntev.
Deputetëve iu drejtuan edhe zëvendësministri i mbrojtjes së Izraelit, Rabin Eliahu Mihael Ben-Dahan dhe zëvendëskryeministrja e Rumanisë, Ana Birçal.
“Sot 75 vjet pas ngjarjeve tragjike ndodhem këtu me shumë delegacione nga Izraeli të cilët qartë tregojnë për çdo gjë që nuk e kemi harruar dhe qartë sugjerojnë se këto krime nuk duhet asnjëherë të përsëriten”,- tha zëvendësministri i Mbrojtjes të Izrailit, Rabin Eliahu Mihael Ben-Dahan.
“Përkujtimi dhe edukimi për Holokaustin janë pjesë e një qëllimi të lartë dhe ajo është mbrojtja e vlerave të demokracisë, sundimit të së drejtës dhe luftës kundër antisemitizmit”,- theksoi zëvendëskryeministrja e Rumanisë, Ana Birçal.
Në kuadër të shënimit të 75 vjetorit të deportimit të hebrenjve të Maqedonisë në Luftën e Dytë Botërore, u shënuan disa aktivitete në vend. Qytetarë, politikanë dhe përfaqësues të korit diplomatik marshuan nëpër rrugët e qyteteve për ta dëshmuar respektin e tyre ndaj viktimave të Holokaustit.
NAIM RAMADANI
