Maqedoni
Ministria e Pushtetit Vendor mbështet komunën e Çairit në projekte infrastrukturore
12.03.2018 17:59
Komuna e Çairit do të marrë mbështetje të plotë nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale sa i përket realizimit të projekteve që kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së qytetarëve të kësaj komune....

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Suhejl Fazliu, dhe kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, kanë diskutuar edhe për problemet me të cilat ballafaqohet kjo komunë. Sipas ministrit, komuna e Çairit ballafaqohet me më shumë probleme, por me evidente është problemi me infrastrukturën.
“Te udhëheqësia e komunës së Çairit ekziston një vullnet dhe elan për të filluar sa më shpejt realizimin e projekteve dhe programit parazgjedhor të cilin e kishte kryetari aktual i komunës së Çairit”,- deklaroi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Suhejl Fazliu.
Kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, tha se me ministrin Fazliu i kanë diskutuar të gjitha projektet e realizuara si dhe projektet që duhet të implementohen në të ardhmen. Sipas Visar Ganiut, komuna e Çairit punon në vazhdimësi për përgatitjen e projekteve për të aplikuar në institucionet kompetente që të marrin fonde të nevojshme e t’i implementojnë ato.
“Ne si komunë kemi edhe projekte tanimë detale të bëra të cilat i kemi të gatshme për të konkurruar me ato projekte. E dini që qeveria e Maqedonisë ka një projekt për 100 çerdhe të reja ku ne kemi konkurruar për një çerdhe të re dhe gjithashtu me zgjerimin e hapësirave ku ka nevojë për çerdhe të tjera. Gjithashtu me Ministrinë e Arsimit jemi duke përgatitur të gjithë dokumentacionin për të konkurruar për hapësira aneks shtesë për shkollat, siç është Shkolla Fillore “Ismail Qemajli” dhe Shkolla Fillore “Liria”, të cilat kanë nevojë për hapësira të reja”,- tha kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Visar Ganiu informoi qytetarët se komuna e Çairit punon çdo ditë në realizimin e Kontratës të cilën e kanë nënshkruar me qytetarët.
BESIM ABDULLAI
