Botë
Siri, ushtria turke thotë se ka rrethuar rajonin Afrin
13.03.2018 11:33
Ushtria turke dhe aleatët rebelë kanë rrethuar rajonin Afrin në veri të Sirisë, kanë njoftuar forcat e armatosura turke të martën...

Ushtria turke dhe aleatët rebelë kanë rrethuar rajonin Afrin në veri të Sirisë, kanë njoftuar forcat e armatosura turke të martën, duke shënuar një përparim të rëndësishëm në ofensivën turke kundër luftëtarëve kurdë rreth kufirit jugor.
Turqia ka nisur operacionin e saj në veri të Sirisë, rreth dy javë më parë, me qëllim të largimit të kurdëve të Sirisë nga kufiri turk. Turqia i konsideron anëtarët e Njësiteve për Mbrojtjen e Popullit si grup terrorist dhe të lidhur me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit. Forcat kanë rrethuar Afrinin dhe kanë pushtuar “zonat me rëndësi kritike” në këtë rajon, ka njoftuar ushtria përmes një deklarate.
Të hënën, zëdhënësi i qeverisë turke ka thënë se forcat e armatosura kanë fituar kontrollin e më shumë se gjysmës së zonës dhe kanë premtuar se do të pastrojnë vendin nga militantët. Që nga fillimi i ofensivës, Turqia ka kërcënuar kalimin e operacionit ushtarak në Manbixh, për të larguar kurdët e Sirisë nga gjatësia e kufirit të saj.
Kërcënimet e vazhdueshme të Turqisë për ta kaluar operacionin në Manbixh kanë shkaktuar komplikime me Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë trupa ushtarakë në këtë zonë. Shtetet e Bashkuara po ashtu i kanë mbështetur Njësitet për Mbrojtjen e Popullit në luftimet kundër grupit militant, “Shteti Islamik”. Ky hap amerikan pati zemëruar Ankaranë.
