Maqedoni
Seanca gjyqësore për lëndët, “Tenderët” dhe “Dhuna në komunën Qendër”
13.03.2018 12:28
Në Gjykatën Penale filloi seanca dëgjimore për rastin e Prokurorisë Speciale Publike “Tenderët”. Ish-ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançevska Milevska...

Në Gjykatën Penale filloi seanca dëgjimore për rastin e Prokurorisë Speciale Publike “Tenderët”. Ish-ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançevska Milevska, nuk ndjehet fajtore për tenderin e paligjshëm lidhur me punimet në muzeun e VMRO-së.
E pyetur nga gjykatësi nëse e kupton akuzën, Kançevska tha se e kupton tekstin e shkruar të akuzës por jo edhe akuzën. Deklaratë të ngjashme dhanë edhe anëtaret e Komisionit për Furnizime Publike të Ministrisë së Kulturës që akuzohen se kanë mbyllur sytë ndaj shkeljes ligjore.
Të akuzuarat, Lidija Llazarova Cvetkovska dhe Juliana Ugrinovska, thanë se ato vetëm kanë respektuar ligjet. Por, prokurori nga PPS-ja nuk pajtohej me këto deklarata. Ai tha se do të dëshmojnë që Kançevska është marrë vesh me drejtuesit e firmës “Beton” që ata t’i nisin punimet pa konkurruar në tender dhe ndërkohë Kançevska do ta rregullonte punën me Komisionin për Furnizime Publike që t’ia ndajë tenderin kësaj firme.
Prokurori i PPS-së tha se firma “Beton” ka filluar punimet ende pa lidhur kontrata dhe ndërkohë tenderi është rregulluar në mënyrë që ta fitojë “Betoni”, i cili ka qenë firma e vetme që i plotësonte të gjithë kushtet e paraqitura.
Sot gjithashtu është caktuar seancë gjyqësore për rastin “Dhuna në komunën Qendër”, ku akuzohet ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, deputetja e VMRO-DPMNE-së, Daniella Rangellova, dhe nëntë persona të tjerë. Ata dyshohen për nxitje të dhunës në protestat para komunës Qendër, në vitin 2013.
